Në analizën e fundvitit, kryeparlamentarja Topalli vlerësoi punën e javëve të fundit të këtij sesioni parlamentar, ku veçoi si tejet të rëndësishme miratimin e një sërë reformash integruese, që erdhën si rezultat i arritjes së konsensusit mazhorancë opozitë.

E mbyllim vitin me bilanc pozitiv, me 450 ligje, rezoluta e marrëveshje të miratuara, – deklaroi Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli gjatë takimit të fundvitit me gazetarët, ku bëri një prezantim të plotë të punës së parlamentit për vitin që do të lëmë pas.

Topalli theksoi se shprehet krenare për punën e Kuvendit duke nënvizuar se gjatë këtij viti janë miratuar ligje të rëndësishëm për vendin, duke shtuar se refreni i punës së parlamentit kanë qenë reformat.

 

Ajo nënvizoi këtu ngritjen e Komisionit të reformës zgjedhore, të Komisionit për rregulloren e Parlamentit, si dhe miratimin e disa ligjeve të rëndësishëm që kërkonin 3/5 e votave.

“Gjatë këtij viti kemi kaluar 450 ligje, rezoluta e marrëveshje. Kemi kaluar me konsensus 4 Kode. Vlerësoj ngritjen e Komisionit parlamentar për reformën zgjedhore dhe ngritjen e grupit të punës për Rregulloren e Kuvendit”, deklaroi Topalli.

Ajo rikujtoi këtu edhe përpjekjet e opozitës për të dëmtuar parlamentarizmin, andaj shprehu mirënjohjen për të gjithë deputetët që i qëndruan Kushtetutës, si të vetmes rrugë, me të cilën kapërcehen momentet e vështira.

“Tani opozita u kthye në punë”, tha Topalli, duke vlerësuar se detyrimi që çdo deputet ka, është të votojë ligjet.

SHPËRNDAJE