NGA: XHEMALEDIN SALIHU

“Dhuna dhe egërsia i fshehin kulturat në shkurre të helmuara. Por, kultura është dritë që, edhe kur të duket e fshehur, nuk asgjësohet dhe shpejt ose vonë, del dhe vezullon në një trevë kulturë të zhvilluar me fisnikëri të vërtetë…” Nermin Vlora Falaski/f.12/

Kur bëhet fjalë për bashkëpunimin kulturor në nivel Rajonal e më gjerë, kryesisht merret parasysh bashkëpunimi kulturor i Luginës së Preshevës me viset shqiptare për rreth, sidomos me Shqipërinë dhe Kosovën, në realizimin e programeve të ndërsjella kulturore.

Lugina e Preshevës, sidomos Presheva realizoi programe të shumta kulturore artistike dhe bashkëpunim kulturor  në Maqedoni, në Mal të Zi, në Shqipëri, sidomos në Kosovë, gjatë vjetëve të fundit të shekullit XX. Po ashtu edhe këto vise shqiptare participuan në zhvillimin e jetës kulturore të Luginës së Preshevës.

Vlen të theksohet bashkëpunimi i ngushtë i Luginës së Preshevës me kulturën e Shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Shqipëri e Kosovë. U realizuan shumë aktivitete kulturore e bashkëpunime kulturore me Shqipëri, Kosovë e gjetiu.

Bashkëpunimi i parë kulturor e arsimor u realizua më 1979, atëherë kur një numër i punonjësve kulturorë e arsimorë vizitoi Shqipërinë dhe u njoftua me arsimin dhe jetën kulturore në Shqipëri.

Në Shkodër, grupin e priti Grupi i Këngëtarëve të Shkodrës dhe pos kësaj punonjësit arsimorë dhe kulturorë vizituan shumë Parqe arkeologjike, Kala, shkolla, e tjerë.

Të theksojmë se shumicën e programeve kulturore, Presheva i  mori me lehtësime financiare apo edhe falas nga Shqipëria dhe Kosova.

Kështu, në një bisedë të viteve të 70-ta të shekullit XX, në Sekretariatin Krahinor të Kulturës/atëherë-tashti Ministria e Kulturës/ nga sekretari i këtij Sekretariati, Shefki Stublla e morëm zotimin që Asambletë kulturore dhe shërbimet kulturore të Kosovës do të jenë minimale për Preshevë. Në bisedë me të ishte Hasan Hajrullahu, udhëheqës komunal dhe kryetar i Këshillit për kulturë në Lidhjen Socialiste të Preshevës dhe drejtori i Shtëpisë së Kulturës, Xhemaledin Salihu/atëherë Universiteti I Punëtorëve/.

Bashkëpunimi i këtillë filloi të realizohet dhe Presheva të ketë beneficione dhe çmime më të ulta për programet dhe shërbimet kulturore të Ansambleve dhe Shërbimeve të Kosovës në Preshevë.

Bashkëpunimi i pare, i realizuar ndodhi më 1975, kur Biblioteka e Qytetit dhe NGBG “Rilindja” nënshkruan Kontratë të Përhershme për sigurimin e botimeve në gjuhën shqipe që dalin në “Rilindje”, në Maqedoni, në Mal të Zi dhe botimeve import nga Shqipëria. Kjo kontratë u realizua deri më 1989, deri atëherë kur u suprimua Autonomia e Kosovës, poashtu u shkëpute edhe kontrata në fjalë.

Pastaj që nga viti 1966/67 në Preshevë erdhën shumë grupe, ansamble, teatro nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria.

Më 1975, në Preshevë u hap skena e përhershme e Teatrit të Prishtinës, në periudhën 1975-1983, me rëndësi të madhe shoqërore e kombëtare është hapja e Skenës së Përhershme e Teatrit të Prishtinës në Preshevë, për realizimin e së cilës u nënshkrua Kontrata nr.24 e dt. 14 janar 1975, në mes të Teatrit Krahinor të Prishtinës/atëherë/ dhe Shtëpisë së Kulturës në Preshevë. Pra, Teatri në fjalë pasuroi dhe edukoi jetën kulturore, sidomos jetën teatrale në Preshevë.

Më 1980, Preshevën e vizituan Teatri Popullor “Migjeni” Shkodër, Radio Shkodra me këngëtarët e mirënjohur: Bik Ndoja, Shqyri Alushi/i ndjer/, Violeta Zefi, Violeta Gjergji,  e tjerë dhe Ansambli Artistik “Kuksi i Ri” nga Kuksi.

Presheva organizoi që nga vitet e 90-ta të shekullit XX shumë festivale kombëtare: Festivalin “Kosovarja”Këndon” më 1992, Festivalin “Ditët e Komedisë Shqiptare” që nga viti 1995 u themelua Festival i Komedisë dhe ky Festival ka legjitimitetin dhe legalitetin që të mbahet në Preshevë, sepse për të janë nënshkruar marrëveshje në mes të Shtëpisë së Kulturës dhe LASH-it të Maqedonisë, Kosovës, pastaj të Shqipërisë dhe Malit të Zi.Pastaj u realizuan Festivali i Recitueve në Preshevë, unik për të gjitha trojet shqiptare, Festivali i Këngës dhe Valles së përpunuar në Preshevë apo i SHKASH-ve shqiptare dhe Festivali i Fëmijëve “Gëzimi Ynë” që mbajnë vulën e kohës dhe janë Festivale të Preshevës.

Andaj në mbështetje të kësaj që thamë më lartë, kërkohet një bashkëpunim më i mirëfilltë i Tiranës dhe Prishtinës, për të realizuar programe konkrete kombëtare kulturore dhe arsimore në Luginën e Preshevës, sigurisht, jo vetëm për ta zhvilluar kulturën shqiptare, por edhe për ta mbajtur ndezur e gjallë kulturën shqiptare në Luginën e Preshevës, e harruar nga Serbia, por edhe nga Tirana dhe Prishtina.

Poashtu, Lugina e Preshevës dhe shoqëria civile e saj kanë nevojë të madhe për financimin e programeve dhe projekteve kulturore që kanë taban kombëtar, sepse ato nuk i financon as shteti i Serbisë, as komuna e Preshevës, ajo e Bujanocit kujdeset për financimin e projekteve dhe programeve të shoqërisë civile, me taban kombëtar, vetëm të atyre me seli në Bujanoc

SHPËRNDAJE