Nagip Arifi, kryetari i Partisë Demokratike dhe opozitarë në kuvendin komunal është shprehur në një intervistë për Titulli.com se PD është e përgatitur që në çdo moment të dalë para popullit për t’i ofruar një ardhmëri shumë më të mirë.

“Jemi të sigurt se do të fitojmë bindshëm dhe do të jemi bartës të përgjegjësive qeverisëse duke mos përjashtuar askënd në përmirësimin e kësaj gjendje dhe në ndaljen e hemorragjisë”, tha Arifi mes tjerash. Ai duke folur për sukseset e qeverisjes aktuale të komunës së Bujanocit theksoi se pushteti i tanishëm nuk mund të krenohet në ndonjë sukses por mund të konsiderohet si periudha më e dobët në 20 vjetshin e fundit në Bujanoc.

“Apo e konsideron sukses angazhimin e tre mjekëve me kontrata tremujore në Shtëpinë e Shëndetit, ndërsa mjekët shqiptarë po braktisin vendlindjen”, deklaroi Arifi.

Titulli.com: Fillimisht na tregoni sa është stabil elektorati i Partisë Demokratike pas ndarjes që keni pasur apo thënë ndryshe krijimit të degës së Alternativës për Ndryshim nga njerëz të partisë suaj?

Arifi: Partia Demokratike ka një elektorat shumë stabil, ndoshta edhe më stabil se kur është themeluar si parti. Është e vërtetë se pas zgjedhjeve të vitit 2016 kur ne si parti kemi fituar 10 mandate dhe në krahasim me PVD-në që ka 9 këshilltarë dhe 3 të UDSH-së ne jemi partia më e madhe në kuvend. Një grup aktivistësh të PD-së, por edhe të partive tjera kanë themeluar degën e APN-së në Bujanoc, duke dashur që të gjejnë një rrugë tjetër të aktivitetit, dhe kjo krejt është normale dhe demokratike dhe ne iu kemi falënderuar aktivistëve tanë për kontributin e dhënë deri sa ishin në PD dhe ne tash ata i shohim si rival, por jo edhe armiq tanë. Politika moderne nuk njeh shkëputje të elektoratit në rastin e ndarjes së disa aktivistëve, sepse ata duhet të gjejnë dhe identifikojnë elektoratin, dhe për këtë arsye ne nuk e kemi ndier veten të dobësuar nga ky veprim. Ndoshta duhet të brengosen subjektet tjera që të ruajnë elektoratin nga APN- në Bujanoc.

Titulli.com: Gjithashtu në opinion lokal është krijuar përshtypja se partia juaj ka një afërsi politike me degën e APN-së në Bujanoc dhe përgjithësi me këtë parti për t’i qëndruar përballë rivalitetit me Partinë për Veprim Demokratik. Cila është e vërteta rreth kësaj.

Arifi: Partia jonë nuk është parti përjashtuese dhe ndoshta ky mund të jetë faji që dikush aludon në afërsinë me APN në veprimin si opozitë. Detyrimisht sipas disave ndarja në parti nënkupton edhe ftohja e raporteve personale, që për pakëz shqiptarë që kemi mbetur do të ishte katastrofike me të gjitha problemet politike, ekonomike, sociale, arsimore etj. Vetëm urrejtja ndër shqiptare çka është kah mungon në këtë vorbull. Të gjitha partitë shqiptare për ne janë shqiptare dhe për interes kombëtar ne mundemi të bashkëpunojmë me të gjithë, edhe me APN-në nëse është nevoja, edhe pse kjo si parti nuk ka përfaqësues në kuvend, prandaj aluzioni për ndonjë aleancë është i deplasuar, pikërisht nga ata të cilët kanë kontribuar në mënyrë direkte apo indirekte të themelohet APN-ja në Bujanoc.

Titulli.com: Qeverisja lokale në Bujanoc po thotë se ka arritur suksese në shumë fusha, në investimet në infrastrukturë, krijimin e vendeve të punës dhe projekteve të ndryshme në interes të përgjithshëm qytetarë. Si e vlerësoni punën e kësaj qeverisje?

Arifi: Qeverisja aktuale “Për shqiptarët me Stojançën”, pos që mund të konsiderohet si “Pushteti i tepsisë”,siç thotë një këshilltarë i PD-së, ku pitja e kësaj tepsie ndahet dhe fragmentarizohet në disa pjesë, proporcionalisht takatit, nuk mund të krenohet në ndonjë sukses por mund të konsiderohet si periudha më e dobët në 20 vjetshin e fundit në Bujanoc. Ende janë duke u marrë me investimet kapitale të filluara gjatë qeverisjes së kaluar si Transfer stacioni i mbeturinave, rruga Muhoc-Zarbincë, shtrati i lumit në Tërnoc etj. Nëse konsiderohet sukses asfaltimi i rrugicave, sokaqeve ka 100-200 metra katror dhe para dyerve të simpatizuesve partiak e kur kujtojmë britjet e Shaip Kamberit në sheshin “Skendërbeu” që në fakt ende quhet Karagjorgje Petroviq, se asfalti nuk hahet, e tash shkon i lutë njerëzit për t’i asfaltuar hyrjet para shtëpive të tyre dhe nëse mendon në punësim transferimin e gjysmës së punëtorëve të ish direkcionit për ndërtim si barrë e komunës, e mendon punësim të praktikantëve partiak me të ardhura 18 mijë dinarë dhe duke i çuar nga 8 të rinj për të aftësuar gjaja në Agjensionin turistik ose në Shtëpi të Kulturës, dërgohet në aftësim profesional gjeodeti i diplomuar apo edhe 7 apo 8 të rinj në Qendrën Sportive e të cilëve pas skadimit të kontratës prapë mbeten pa punë atëherë bëjmë pyetje a është ki punësim apo degradim dhe shantazh i të rinjve.

Apo e konsideron sukses angazhimin e tre mjekëve me kontrata tremujore në Shtëpinë e Shëndetit, ndërsa mjekët shqiptarë po braktisin vendlindjen. Apo ndoshta konsideron sukses harxhimin e parasë së taksapaguesve për ahengje, OJQ të punëtorëve të administratës, ndarje të mjeteve për informim për dy-tre portale, apo ndarja e subvencioneve bujqësore për drejtorat e ndërmarrjeve, shefat dhe kryeshefat në administratën lokale, apo ndarje të mjeteve për Start-up programin, ku përfitojnë njerëz që jetojnë në Zvicër, Gjermani ose bëjnë hapje fantom të ndërmarrjeve në afat njëmujor, e që pas marrjes së parave mbyllen etj. Ky pra është në realitet suksesi i kësaj qeverisje asimetrike në ndarjen e buxhetit dhe pushtetit në 50% me Stojançën!

Titulli.com: Sipas jush a ka dështuar diku qeverisja lokale dhe ku janë ngecjet më të mëdha të kësaj udhëheqje?

Arifi: Dështimi i këtij pushteti ka filluar që në themelimin e tij kur për qëllime të urrejtjes dhe hakmarrjes, moton e saj “Me shqiptarët për shqiptarët me një drejtor shqiptar në Shtëpinë e Shëndetit, ai së pari tradhtoi elektoratin e vet e pastaj të tjerët. Në fakt ky pushtet është i mirë vetëm për një grup të vogël njerëzish, që edhe ata vet në biseda joformale e potencojnë se “Kurrë nuk e kanë pasur më mirë”, por në fakt “Kurrë nuk ka qenë më keq për popullatën”.

Titulli.com: Zgjedhjet lokale të rregullta janë akoma larg, sa është e gatshme Partia Demokratike të hy në zgjedhje dhe çfarë rezultati prisni duke e pasur parasysh edhe mos interesimin e një pjese të madhe të shoqërisë për të qëndruar në vend për shkak mungesës së perspektivës?

Arifi: Nuk është se janë larg se kanë ra nën një vit dhe ato do të vijnë shumë shpejtë për të larguar këtë pushtet që po “Vetëfundoset”!. Partia Demokratike është e përgatitur që në çdo moment të dalë para popullit për t’i ofruar një ardhmëri shumë më të mirë se kjo gjendje aktuale që po mbretëron në Bujanoc, i cili çdo ditë po zbrazet nga pjesa më vitale duke filluar nga mjekët, inxhinierët, mjeshtër të profileve të ndryshme, etj!

Ne jemi të sigurt se do të fitojmë bindshëm dhe do të jemi bartës të përgjegjësive qeverisëse duke mos përjashtuar askënd në përmirësimin e kësaj gjendje dhe në ndaljen e hemorragjisë./presheva.com/

SHPËRNDAJE