Ministria e Shëndetësisë, i ka reaguar deputetes së AAK-së, Time Kadriaj për publikimin e emrave të personave të cilët janë liruar nga karantina në Qendrën e Studentëve, e për të cilët ajo pretendon se janë aktivistë të VV-së.



Në reagimin e saj,  MSH thotë se të gjitha vendimet janë të nënshkruara nga ana e ministrit Arben Vitia, mirëpo se janë të rekomanduara nga profesionistët shëndetësor, shkruan lajmi.net.
“Këto ekipe profesionistësh janë ekspertë të fushave dhe të pavarur në punën e tyre. Është e pandershme dhe sulm i ulët ndaj profesionistëve shëndetësor, që në këtë kohë pandemie janë në krye të detyrës dhe mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë. Mbi të gjitha, publikimi i këtyre të dhënave paraqet cenim të rëndë të privatësisë, si dhe është i ndëshkueshëm edhe më ligjet në fuqi. Është një veprim skandaloz dhe mbi të gjitha jo njerëzor”, thuhet në reagim.
MSH po ashtu ka paralajmëruar padi ndaj deputetes së AAK-së për publikimin e detajeve të pacientëve.
Postimi i plotë:
Ministria e Shëndetësisë reagon ashpër ndaj publikimeve të vendimeve të cilat shpalosin gjendjen shëndetësore dhe identitetin e personave të cilët janë kontrolluar sipas protokollit shëndetësor, të përcaktuar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës.
Ministria e Shëndetësisë njofton opinionin publik se të gjitha vendimet e posaçme të nënshkruara nga ana e ministrit Arben Vitia janë rekomanduar nga profesionistët shëndetësorë, të fushave të ndryshme, të cilët e kanë përgatitur pasqyrën shëndetësore për secilin person që ka hyrë në territorin e Republikës së Kosovës pas hyrjes në fuqi të masave për mbrojtjen e shëndetit publik dhe rekomandimeve te Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Këto ekipe profesionistësh janë ekspertë të fushave dhe të pavarur në punën e tyre. Është e pandershme dhe sulm i ulët ndaj profesionistëve shëndetësor, që në këtë kohë pandemie janë në krye të detyrës dhe mbajnë mbi supe përgjegjësi të mëdha për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve tanë. Mbi të gjitha, publikimi i këtyre të dhënave paraqet cenim të rëndë të privatësisë, si dhe është i ndëshkueshëm edhe më ligjet në fuqi. Është një veprim skandaloz dhe mbi të gjitha jo njerëzor.
Ministria e Shëndetësisë bashkë me personelin shëndetësor mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e shëndetit publik, njëkohësisht edhe në mbrojtjen e privatësisë së qytetarëve tanë nga stigmatizimi, siç përcaktohet edhe me ligjet në fuqi.
Njëkohësisht, njoftojmë opinionin publik se Ministria e Shëndetësisë, si institucion, do të ndërmerr çdo veprim në pajtim me ligjin ndaj personave që kanë cenuar rëndë privatësinë e qytetarëve të cilët janë kontrolluar nga profesionistët shëndetësor.
Privatësia e gjendjes shëndetësore është e drejtë e garantuar me ligj për secilin qytetarë në Republikën e Kosovës. Ndaj ju bëjmë thirrje organeve kompetente që të ndërmarrin veprime me dispozitat ligjore në fuqi. /Lajmi.net/

SHPËRNDAJE