ptttMenaxhmenti i Telekomit të Kosovës (TK) përveç keqmenaxhimit dhe humbjeve të mëdha, po dështon edhe të siguroi dividentën e paraparë për këtë vit ndaj Qeverisë së Kosovës.

Kjo e fundit, fillimisht në ligjin e buxhetit për vitin 2016, kishte paraparë të hyra nga dividenta e TK-së 23 milionë euro, ndërsa, me rishikim të buxhetit kishte planifikuar si të hyra nga TK-ja 15 milionë euro. Pavarësisht zbritjes së vlerës së dividentes, kompania deri tani nuk i ka paguar asnjë centë shtetit. Nga Kuvendi i Kosovës ka dyshime se PTK nuk ka vullnet për t’u paguar dhe se ajo tani është shndërruar në një klientel të partive në pushtet, kurse, fajtor për ketë është menaxhmenti.

Sipas ligjit të Buxhetit, të hyrat të cilat planifikohen në rast se nuk realizohen, atëherë, konsiderohet shkelje e ligjit. Mospagesa e dividentës, në këtë rast nga ana e TK-së, dëshmon se kompania që dikur ishte më profitabile në vend, ka telashe të mëdha në të hyra. Bazuar në raportin vjetor të vitit 2015, kompania ka realizuar më pak të hyra për rreth 10 milionë euro, se sa në vitin 2014. Sipas këtij raporti, gjatë vitit 2015 janë realizuar të hyra totale në vlerë prej 84.3 milionë euro, që janë 15.5 milionë euro më pak se në vitin paraprak.

Kjo është konfirmuar për KosovaPress edhe nga ministria e Financave (MF). Muharrem Shahini, drejtor i zyrës për media në MF, ka thënë se në ministri nuk kanë asnjë pranim nga dividenta e PTK-së.

“Të hyrat nga dividenta për vitin 2016, me ligjin e Buxheti, janë të planifikuara 23 milionë euro. Ndërsa, me rishikim të buxhetit është planifikuar të jenë 15 milionë euro. Deri më  05.10.2016, nuk kemi pranim në buxhet nga dividenta”, ka thënë Shahini përmes përgjigjes elektronike.

Anëtari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Enver Hoti dyshon që Qeveria do të mund ta realizoj dividentën nga TK-ja. Pasi sipas tij, në vazhdimësi kjo kompani ka shënuar rënie të të hyrave.

Hoti: Çdo vit kompania ka rënie

“ Unë mendoj që devidenta e PTK-së, sipas raporteve, ka shkuar vazhdimisht në rënie. Nuk kemi ndonjë informacion nëse do të mund të realizoj PTK-ja atë kërkesë të Qeverisë, atë dividentë. Dyshoj që nuk e ka mundësin, por nuk e ka vullnetin edhe është e kufizuar në atë realizim për shkaqet të instalimeve të grupeve politike që janë duke menaxhuar me PTK-në. PTK tani është shndërruar në një klientel të partive në pushtet dhe sukseset sigurisht që janë në nivelin që janë”, tha Hoti.

Ndërsa, kryetari i Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa ka thënë se ndarja e dividentës varet nga rezultatet financiare të kompanisë në fjalë. Sipas tij, nëse Telekomi i Kosovës nuk ka të hyra të mëdha, atëherë dividenta mund të jetë më e vogël.

Mustafa: Dividenta për Qeverinë varet prej rezultateve financiare

“Ndarja dhe mos ndarja e dividentës për Qeverinë e Kosovës varet prej rezultatit financiarë. Në çoftë se PTK ka fitim, ajo duhet ta ndaj dividenten, në qoftë se ka rezultate, ka një fitim të vogël mund ta ndaj një dividentë të vogël ose në qoftë se nuk ka rezultate pozitive nuk do të ketë as dividentë“, tha Mustafa.

Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, në një prononcim të mëhershëm për KosovaPress, kishte thënë se keq menaxhimi i PTK-së, ka sjellë në gjendje të mos paguaj as dividentë, madje, ai kishte konstatuar se ndoshta me ketë gjendje nuk do të mund të arrijnë të paguajnë as TVSH-në.

Shatri: Keqmenaxhimi e ka sjellë PTK në gjendje

“Mendoj që pjesa më e madhe e fajit dhe përgjegjësisë i bie menaxhmentit edhe pronarit që në këtë rast është Qeveria, sepse ne po e shohim si janë caktuar njerëzit nëpër ato poste, ku ishte dashur me qenë më e mirë të caktohen njerëz të përgjegjshëm, njerëz me kualifikime me njohuri përkatëse për institucionin që e menaxhojnë. Kjo nuk po ndodh edhe nuk ka ndodh, prandaj vlera e këtij aseti kombëtar ka rënë pothuajse në zero…po aq poshtë ka rënë sa nuk janë në gjendje, jo që nuk kanë realizuar fitim, por s’janë në gjendje me pagua as dividentën as kurrfarë obligime. Ishalla paguajnë tatimin TVSH—në atë që na marrin neve si konsumator”, tha Shatri.

Sipas ligjit të buxhetit të hyrat të cilat planifikohen në rast se nuk realizohen, atëherë konsiderohet shkelje e ligjit. Ndryshe, edhe për kundër insistimit tonë për të marrë një përgjigje nga menaxhmenti i PTK-së, një gjë e tillë ka qenë e pa mundur.

SHPËRNDAJE