Sulmuesi argjentinas Lionel Messi humbi një penallti në minutën e 63-të mbrëmë në ndeshjen mes PSG-së dhe Real Madridit.

Ai luajti një lojë shumë nën mesataren e tij, por ajo që bie në sy është fakti që në fund mezi e festoi golin e fitores.

Një video filloi të qarkullonte menjëherë në rrjetet sociale ku shihet Messi duke reaguar me gjakftohtësi kur i gjithë stadiumi shpërtheu pas magjisë së Kylian Mbappe.
Messi ishte në anën tjetër të zonës së penalltisë, duke ecur, si në pjesën më të madhe të lojës dhe me këtë gjest na kujtonte shumë Cristiano Ronaldon, i cili shpesh “kapet” duke mos festuar golat e shokëve të tij.
Prej kohësh duket se Messi nuk është edhe ai i lumtur në Paris, ndaj kjo ndoshta do të ngrejë pikëpyetje të reja për atmosferën në PSG.

Edhe në klubin francez nuk mund të jenë të kënaqur me lojërat e tij, të cilat tani për tani janë shumë mesatare.

Mbappe e nxori Messin nga figura tragjike e ndeshjes, me një gol në minutën e 93-të të ndeshjes ndaj Real Madridit, kur ai kaloi dy lojtarë dhe më pas tundi rrjetën për fitoren 1-0.

SHPËRNDAJE