13 gusht, 2021 – Federata e Futbollit e Kosovës sqaron të gjithë futbollistët dhe opinionin e gjerë në Zvicër dhe vendet e tjera evropiane se nuk ka organizuar asnjë Këshill apo Komitet në Diasporë. FFK së fundmi është informuar se persona të paautorizuar kanë hapur uebfaqe me emrin dhe logon e FFK-së (ffk-kosova.ch), ku edhe kanë vendosur emrat e kinse Komitetit për Zvicër. I bëjmë me dije opinionit se i vetmi përfaqësues legjitim i FFK-së në Zvicër është Flamur Bunjaku, që njëherësh është anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së. Të tjerët, emrat e të cilëve janë të përfshirë në këtë uebfaqe, disa prej tyre i njohim si bashkëatdhetarë, derisa të tjerët nuk i njohim fare.

Jemi të bindur se ndonjë mashtrues i ka keqpërdorur emrat e tyre dhe mundohet që të përfitojë nga ky veprim, duke hyrë në kontakte me lojtarë. FFK i bën thirrje personave të tillë që mos ta dëmtojnë imazhin e mirë të institucionit tonë me veprime të tilla të pamatura dhe mashtruese, e të distancohen nga ky veprim i papërgjegjshëm. Njëherësh i bëjmë thirrje të gjithë prindërve, futbollistëve dhe klubeve që t’i injorojnë njerëzit e tillë që shfaqen si menaxher apo skautë të FFK-së dhe të kontaktojnë vetëm me personat e autorizuar nga FFK.

SHPËRNDAJE