berreaasNë një intervistë ekskluzive, për gazetën “Bota sot”,  ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka folur për situatën në të cilën i gjen shqiptarët 104 vjetori i Pavarësisë. Sipas të njëjtit, dramatike është se kjo festë i gjen shqiptarët duke u larguar masivisht nga Shqipëria.

I pyetur rreth bashkëpunimit Kosovë –Shqipëri, Berisha është deklaruar dhe mbi kërkesat e Serbisë për cënim të sovranitetit të Kosovës, duke penguar vënien  në funksionim të projektit për ndërlidhjen  energjitike

“Bota sot”: Z. Berisha, si po i gjen shqiptarët ky 28 nëntor?

Sali Berisha: Së pari përfitoj nga rasti t’u uroj ju Mimoza, drejtuesve, gazetarëve, punonjësve, lexuesve të “Bota Sot” dhe mbarë shqiptarëve; Gëzuar 28 nëntorin, festën  e flamurit dhe ditën e çlirimit të Shqipërisë! Kjo ditë, që është dhe festa e të gjitha festave tona, i gjen shqiptarët të lirë dhe në përpjekje të vyera për ndërtimin e sistemit demokratik, integrimin europian dhe euroatlantik, gjen Kosovën në një proces negociatash me Serbinë, proces i një rëndësie jetike për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë.  Por, krahas kësaj, përsëri duhet thënë se kjo festë i gjen shqiptarët me probleme serioze. Së pari, Shqipërinë e gjen të shndërruar në Kanabistan, si rezultat i një politike pothuaj zyrtare, të papërgjegjshme të Qeverisë, që ka nxitur më shumë mënyra mbjelljen masive të kanabisit në mbarë vendin dhe që beson se me para droge do të zhvillojnë Shqipërinë. Pas diktaturës komuniste të Enver Hoxhës, shndërrimi i Shqipërisë në Kolumbinë e Europës, siç po e quajnë atë mediat e mëdha të botës, është goditja e dytë më e rëndë për imazhin ndërkombëtar të vendit tonë. Sot territori i vendit në të katër anët e tij është në kontroll direkt të qindra bandave të armatosura, roje të plantacioneve të kanabisit.

Përveç kësaj, kjo festë e gjen Shqipërinë në vendin, në të cilin krimi i organizuar, për shkak të lidhjeve të tij me nivelet më të larta të pushtetit, është vendimmarrësi më i fuqishëm i vendit. Ai bën ligjin në rrugë, institucione, parlament, ministri, kryeministri dhe kudo. E gjitha kjo sepse, në trashëgiminë politike të Edi Ramës, për etërit e tij shpirtëror krimi që “duhej”, që “ndihmonte për mbajtjen e pushtetit” ishte i dobishëm  madje dhe i admirueshëm për aktet e tij! Krimi i lidhur me pushtetin iu garanton pushtetarëve atë që ligji nuk u’a lejon, pushtetin e pakufizuar, ata realizojnë nëpërmjet tij pushtetin pa kufij!  Por përveç këtyre, dramatike është se kjo festë i gjen shqiptarët duke u larguar masivisht nga Shqipëria. Këto dy vite, rreth 100 mijë, shumë prej tyre shtresë e mesme, u larguan nga vendi, kërkuan azil politik në Gjermani dhe vende të tjera të BE-së. Ndërkohë që, sipas Zyrës Federale të Azilit në Gjermani, në vitet 2011-2012, të marra së bashku, gjithesej vetëm 434 qytetarë  nga Shqipëria kërkuan azil politik në Gjermani. /Nga Mimozë Lakna

SHPËRNDAJE