Ishte 25 dhjetori i vitit 2000, kur “Malena” u shfaq për herë të parë në kinematë botërore. Regjisori Giuseppe Tornatore ia besoi një film të tërë trupit të një gruaje: Monica Bellucci. Sot, “Malena” mbetet një klasik, pavarësisht kritikave që mori sapo doli, me pretendimin se “është një film që përpiqet të jetë diçka tjetër” (Roger Ebert, 22 dhjetor 2000).

Në qendër është problematika më aktuale e shoqërisë: seksizmi. Ngjarjet janë vendosur në një fshat italian të viteve ’40; e megjithatë personifikimi i gruas vetëm me pamjen e saj të jashtme, nuk shfaqet ndryshe nga tani, edhe pse veshur me kostumet e 70 viteve më parë.

“Unë ndihem shumë mirë me veten, por jo sepse jam e bukur”, do të thoshte aktorja Monica Bellucci në një intervistë për BBC-në, ku edhe shtoi: “Të ndihesh mirë me veten, nuk ka të bëjë me mënyrën si dukesh, por me mënyrën si ndihesh. Unë jam me fat, sepse më kanë dhuruar shumë dashuri.”
E megjithatë, vetë suksesi që pati filmi flet njëzëri me mesazhin që perceptojmë prej tij: Bukuria është fat, është edhe mallkim. Shikuesit u dashuruan me “Malenën”: gruan e bukur, me trupin e saj prej statuje, si dhe me mënyrën si i bënte të gjithë të marroseshin pas saj. A do të kishte qenë kaq i suksesshëm sikur bukuria e Malenës të ishte në plan të dytë?

Sot, që është pothuajse 2017-ta, gra në karrierë, që jetojnë dhe punojnë në një vend si SHBA-të, rrëfejnë publikisht historitë e tyre të dhunimit, abuzimit, ngacmimit seksual. Lady Gaga, Evan Rachel Wood, Kesha, Rita Ora dhe të tjera gra me emër, kanë folur hapur për presionin me të cilin përballen ato që luftojnë për karrierën, ku përfshihet edhe abuzimi nga producentët apo regjisorët.

Ndaj “Malena” nuk është thjesht një dramë individuale e personazhit, e gjendur rastësisht në vitet ’40, por një sarkazëm therëse me audiencën që ose e dashuron, ose e urren këtë film, vetëm sepse Malena është e bukur.

SHPËRNDAJE