Drejtori i Byrosë Kosovare të Sigurimit në Kosovë (BKS), Rrahim Pacolli, ka ndryshuar mendimin. Derisa një ditë më parë ai tha se nuk ka mundësi që të ulen taksat doganore për shqiptarët e Luginës së Preshevës, ai të enjten tha se këto taksa do të ulen dukshëm edhe atë shumë shpejt.

Këtë qëndrim Pacolli e ka ndryshuar pas një takimi që kanë zhvilluar të enjten anëtarët e kompanive të sigurimeve. Ky takim është zhvilluar pas një kërkese që zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ia ka bërë BKS-së, nga e cila ka kërkuar që të shqyrtohen të gjitha mundësitë që taksat doganore për shqiptarët e Luginës së Preshevës të ulen.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, tash sa muaj u kanë premtuar shqiptarë të Luginës së Preshevës uljen e tarifave kufitare, të cilat Kosova i ka vendosur si shenjë reciprociteti me Serbinë, nga dhjetori i vitit të kaluar, si rrjedhojë e marrëveshjes Prishtinë – Beograd në Bruksel.

Aktualisht 60 euro është pagesa minimale që një person duhet të paguajë sigurim nëse hyn me veturë nga Serbia në Kosovë, e cila vlen vetëm për 2 javë qëndrim, për çka shqiptarët e Luginës së Preshevës thonë se në vend të lirisë së lëvizjes, janë izoluar edhe më shumë, për faktin se këto tarifa janë jashtë çdo normaleje.

“Sot patëm një takim dhe u vendos që tarifat të ulen. Por për detaje rreth çmimeve do të tregojmë shumë shpejt, sepse takimet do të vazhdojnë, ku do të analizohen mënyrat më të mira që shkojnë në të mirë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha për “Zërin”, Rrahim Pacolli, sipas të cilit, të premten (sot) do të zhvillohet një takim tjetër me BKS.

“Ajo që tani mund të ju siguroj publikisht, është se tarifat do të zvogëlohen vetëm për shqiptarët e Luginës së Preshevës. Për këtë të jeni të sigurt. Do të ketë lehtësime të mëdha edhe për ata që hyjnë në Kosovë vetëm për një ditë, e që me tarifat e sotme atyre u është dashur të paguajnë në vlerën e qëndrimit për dy javë”, shtoi Pacolli.

Derisa ai nuk tregoi se me kë do të takohet, u bë e ditur se bëhet fjalë për një takim që do ta zhvillojë me zëvendëskryeministrin Kuçi, i cili edhe ishte iniciator i kësaj çështjeje.

Zyra e ministrisë së tij, njoftoi përmes një deklarate për shtyp që të premten (sot), ministri Kuçi do të takohet me Rrahim Pacollin, drejtor i BKS-së, ku do të diskutohet lidhur me lehtësimin e taksave kufitare për qytetarët e Luginës së Preshevës.

Ragmi Mustafa, udhëheqës i Partisë Demokratike Shqiptare në Luginën e Preshevës, e mirëpriti një lajm të tillë. “Ulja e taksave kufitare për shqiptarët e Luginës, të cilët kanë mbetur të izoluar, do të jetë një lajm shumë i mirë për ta. Ne e mirëpresim këtë nismë të Qeverisë së Kosovës dhe jemi të bindur se premtimet e tyre do të shkojnë deri në fund”, tha Mustafa.

Aktualisht 60 euro është pagesa minimale që një person duhet të paguajë sigurim nëse hyn me veturë nga Serbia në Kosovë, e cila vlen vetëm për 2 javë qëndrim, për çka shqiptarët e Luginës së Preshevës thonë se në vend të lirisë së lëvizjes, janë izoluar edhe më shumë, për faktin se këto tarifa janë jashtë çdo normaleje.

SHPËRNDAJE