Vendi do të përfaqësohet me 10 sportistë

Tashmë është e sigurt dhe Shqipëria do të përfaqësohet në Londër me 10 sportistë dhe jo më 11. Kjo ndodhi pas pezullimit të peshëngritësit Hysen Pulaku, i cili doli pozitiv në kontrollin antidoping dhe në dy analizat e zhvilluara të enjtën dhe të premten. Ky zvogëlim do të thotë se shqiptarët do të kenë një sportist më pak sesa në Pekin 2008.
Nga peshëngritja do të jetë Romela Begaj për femra, ajo që është caktuar edhe si flamurmbajtësja e ekipit olimpik shqiptar, ndërsa tek meshkujt janë Briken Calja, Daniel Godelli dhe Endri Karina.
Atletika do të përfaqësohet nga Klodiana Shala në garën e 200 metrave dhe Adriatik Hoxha në hedhjen e gjyles, e para e kualifikuar pas kapjes së normës olimpike, ndërsa i dyti me ftesë.
Noti do të jetë në kryeqytetin britanik me Noel Borshin për femra dhe Sidni Hoxhën për meshkuj, qitja ka këtë herë Arben Kuçanën dhe jo Lindita Kodrën, ndërsa xhudo ka Majlinda Kelmendin, që është edhe një prej pretendenteve më rezultat të lartë nga delegacioni kuqezi.
Kelmendi u vendos të përfaqësonte Shqipërinë, ndonëse është sportiste e Republikës së Kosovës dhe kjo për faktin se Kosova nuk është lejuar që të marrë pjesë në Lojrat Olimpike ndërsa xhudistja ka kryer edhe mjaft gara në emër të ekipit shqiptar.
Në peshëngritje ka pasur edhe një ndryshim më herët pasi Endri Karina zuri vendin e Erkand Qerimajt, shpresës sonë më të madhe për medalje, që u dënua me 11 muaj pezullim për shkak dopingu.
Shqipëria ende nuk ka fituar asnjë medalje në lojrat olimpike dhe ëndrra është që ta arrijë pikërisht në Londër, por synimet më realiste janë për një vend të pestë ose të gjashtë.

SHPËRNDAJE