Legjenda e boksit Muhamed Ali ishte i ftuari i nderit në një mbrëmje gala bamirësie e zhvilluar në Londër, që kishte si qëllim mbledhjen e fondeve që do të shkojnë për sponsorizimin e kërkimeve mbi sëmundjen e Parkinsonit, nga e cila vuan vetë kampioni olimpik i vitit 1960. Në tapetin e kuq të “Viktoria dhe Albert Museum” shkelën figura të njohura të sportit, kinemasë dhe muzikës, ndër të cilët edhe ylli i Los Anxhelos Galaksi, Devid Bekam, i cili pranoi se bashkë me Muhamed Ali do të ketë një rol të rëndësishëm në ceremoninë hapëse të Olimpiadës, por pa zbuluar më shumë detaje.
Në fillim të mbrëmjes, një njeri i veshur me kostum të bardhë dhe me një kapelë në kokë la përshtypjen tek disa të ftuar se Muhamed Ali ishte ngritur në këmbë, por në fakt bëhej fjalë për vëllain e tij, Rahaman, i cili i falënderoi të gjithë të pranishmit në emër të legjendës së boksit.
Piloti i Formula n Ljuis Hamilton, tha se ishte shumë I emocionuar që merrte pjesë në këtë mbrëmje Gala, ndërsa për Vitali Klickov Muhamed Ali ka qenë inspirues për një karrierë të suksesshme në sportin e boksit. Boris Beker, ish-tenisti I famshëm gjerman shtoi se Muhamed Ali nuk është thjesht një ish-boksier I madh, por dhe një politikan I paqes në të gjithë botën.
Këtë mbrëmje gala boksieri më i madh i të gjitha kohërave, e shfrytëzoi për mbledhjen e të ardhurave për “Qendrën Edukative Muhamed Ali” dhe për kërkimet mbi sëmundjen e Parkinsonit. Cmimi i hyrjes për të pranishmit varionte nga 2500 deri 110 mijë euro.

SHPËRNDAJE