Turqia ka nisur sulme ajrore ndaj objektivave kurdë në Irak dhe Siri, një javë pas një bombardimi në Stamboll për të cilin fajëson militantët kurdë, shkruan BBC.

Bastisjet, të quajtura Operacioni Kthetra-Shpata goditën bazat kurde që po përdoreshin për të nisur sulmet ndaj Turqisë, tha ministria e mbrojtjes.

Një zëdhënës siriano-kurd tha se u goditën dy fshatra të populluar. Grupi i ndaluar kurd PKK mohon kryerjen e sulmit në Stamboll.

Me fillimin e sulmeve ajrore, ministria turke e mbrojtjes shkroi në Twitter se “ora e llogarisë” kishte mbërritur, së bashku me një foto të një avioni luftarak dhe pamjet e një shpërthimi.

“Strehërat, bunkerët, shpellat, tunelet dhe magazinat e terroristëve u shkatërruan me sukses”, tha ministri turk i Mbrojtjes Hulusi Akar.

Nuk është e qartë se cilat objektiva u goditën në Irak. Bastisjet vijnë një javë pas një sulmi me bombë në një nga rrugët më të frekuentuara të Stambollit, i cili vrau gjashtë persona dhe plagosi më shumë se 80.

Autoritetet turke fajësuan për shpërthimin grupin militant kurd PKK, të cilin Turqia, BE dhe SHBA e konsiderojnë si një organizatë terroriste.

Megjithatë, PKK tha se nuk do të “shënjestrojë drejtpërdrejt civilët” dhe mohoi përgjegjësinë.

Autoritetet kanë arrestuar dhjetëra njerëz në lidhje me sulmin, duke përfshirë një grua siriane që ata thonë se vendosi bombën.

Para arrestimit, ministri turk i drejtësisë tha se një çantë kishte shpërthyer pranë një stoli pasi një grua qëndroi atje për dyzet minuta.

SHPËRNDAJE