Edhe Qeveria e Kosovës e ka konfirmuar takimin e nesërm mes kryeministrit Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha për Express se Kurti do të udhëtojë sot për në Bruksel, derisa shtoi se takimi mes Kurtit dhe Vuçiqit është konfirmuar për nesër.

“Kryeministri Kurti udhëton sot për në Bruksel, ndërkaq takimi ndërmjet kryeministrit Kurti dhe z. Vuciq është konfirmuar për nesër, ditë e hënë”, tha Kryeziu.

Se do të takohet me Kurtin, e ka konfirmuar edhe presidenti serb. Vuçiq për TV Prva tha se do të niset sonte vonë ose nesër herët në mëngjes.

“Bisedimet do të fillojnë në mëngjes në orën 8, që do të thotë se ne do të largohemi nga Beogradi në 4, ose 4:30, ose sonte vonë”, tha Vuçiq.

“Unë do të shkoj, jo pse mendoj se mund të bëjmë diçka, por mos t’ju dhënë arsye për të fajësuar Serbinë se nuk deshi të marrë pjesë”, shtoi ai.

Kujtojmë që nesër përfundon faza e fletëqortimeve, çka shënon nisjen e fazës së re të vendimit për targa – faza e gjobitjes. Prej nesër çdo veturë me targa ilegale do të gjobitet me 150 euro.

Hera e fundit që Kurti e Vuçiq u takuan ishte më 18 gusht.

SHPËRNDAJE