Bastian Schweinsteiger është shprehur se Spanja është ekipi më i mirë i EURO 2012 dhe si e tillë është favorite për fitoren e kampionatit europian, por deklaroi se nuk ka skuadër të pathyeshme dhe se ka besim tek mundësitë për fitore të Gjermanisë.

“Për mua Spanja është më e mira. Spanjollët duket sikur luajnë me një lojtar më shumë në fushë. Gjithsesi nuk ka ekipe të pathyeshme”, theksoi mesfushori për revistën ‘Men’s Health’.

Schweinsteiger nuk mendon se Gjermania po shkon në EURO 2012 me një skuadër më të re seç duhet: “Lojtarët e rinj i kanë dhënë më shumë cilësi kombëtares dhe ju siguroj që atyre nuk u mungon shpirti luftarak.”

Veçoria kryesore e skuadrës së drejtuar nga Low, sipas mesfushorit të Bayern Munchen, është shpejtësia e kalimit nga faza mbrojtëse në atë sulmuese: “Tani jemi më fleksibël dhe të shpejtë në lojë.”

Gjermania do të luajë ndeshjen e parë të grupit B ndaj Portugalisë, të shtunën në orën 20.45.

SHPËRNDAJE