NGA KUSHTRIM MALIQI 

Në një intervistë ekskluzive për “Bota Sot”, Lideri i Boshnjakëve në Sanxhak Dr. Sulejman Ugljanin, ka folur gjatë për gjendjen e boshnjakëve në Sanxhak, për shqiptarët dhe kushtet me të cilat jetojnë ata në Sanxhak, për raportet e liderëve atje me Beogradin por edhe me Prishtinën, për dallimet apo të përbashkëtat mes shqiptarëve dhe boshnjakëve, ku ndër të tjera tha se, në Sanxhak, jo rrallë dëgjon idivid por edhe familje që thonë “këtë vikend do të shkoj ta pushoj shpirtin në Kosovë”, ka thënë ndër të tjera kryetari Ugljanin.

Qyteti i Novi Pazarit ku ka udhëtuar gazetari jonë për ta realizuar këtë intervistë, gjendet jo larg prej qytetit të Mitrovicës. Për të shkuar atje, kalon kah liqeni i bukur i Ujmanit, në kufi takon policë të cilët nga ana e serbisë vijnë shumica pikërisht nga Sanxhaku.

“Bota Sot”: Kryetar, si është gjendja aktuale e boshnjakëve në Sanxhak, sa jeni të kënaqur me intensitetin me të cilin po ecën realizimi i të drejtave të tyre në Serbi?

Ugljanin: Ne kur flasim për këto çështje, duhet të kthehemi tek rënia e ish-Jugosllavisë, ne mbi 50 vite kemi jetuar në një shtet të përbashkët, në të cilat kanë qenë 6 republika, 2 krahina dhe atëherë në boshnjakët kemi qenë të pranuar si komb. Në siç edhe e dini, punojmë tash 29 vite në skenën politike të Jugosllavisë së atëhershme. Kënaqësia apo pakënaqësia jonë ka të bëjë me dy gjëra. Boshnjakët janë popull i mirë, i kulturuar,  i përgjegjshëm dhe i organizuar sikur të gjithë popujt tjerë evropian, të cilët jetojnë këtu, por sa i përket raporteve me shtetin, për boshnjakët është shumë e vështirë. Shteti serb ka raporte jo miqësore me boshnjakët, Sanxhaku është tokë e okupuar që nga viti 1918 e këndej, mes Serbisë dhe Malit të Zi. Statusi i Sanxhakut ende nuk është i zgjidhur, ne e kemi referendumin e vitit 1991 ku kemi shprehur vullnetin tonë për autonomi të plotë politike dhe territoriale dhe të drejtën për t`iu bashkuar njërës prej republikave. Ne duke u thirrur në të, kemi filluar të bisedojmë me Unionin Evropian, fatkeqësisht BE këtë çështje nuk e ka zgjidhur, kemi qenë në të gjitha konferencat deri në marrëveshjen e Dejtonit. Në konferencën e Dejtonit është ndalur agresioni i Serbisë dhe shteteve tjera në Bosnje dhe Hercegovinë, por nuk është zgjidhur kriza në Jugosllavi, keni parë pas saj përpjekjen e regjimit të Millosheviqit që ta zhduk popullin shqiptarë, ka bërë gjenocidt në Srebrenicë, Sanxhak e kështu me radhë, do të thotë se Dejtoni vetëm se e ka ndalur gjenocidin e Serbisë dhe Malit të Zi, por nuk e ka zgjidhur problemi. Ne kështu siç jemi, nuk jemi të kënaqur me statusin tonë, kërkojmë nga BE dhe SHBA që janë bartës të kësaj konference ta zgjidhin edhe statusin e boshnjakëve edhe të Sanxhakut.

“Bota Sot”: Nëse do të kishit mbështetjen e fuqive të mëdha, a do të kërkonit sot pamvarësi për Sanxhakun?

Ugljanin: Ne kemi kërkesën tonë, kërkesa jonë përkon me atë që fuqitë e mëdha kanë bërë një gabim të madh historik, pas kongresit të Berlinit, Serbia është pranuar në njërën anë, Mali i Zi në anën tjetër, Bosnja në anën tjetër, ndërsa Sanxhaku ka qenë një territor i veçantë. Fuqitë e mëdha i kanë bërë padrejtësi Sanxhakut, Serbia në vitin 1918 kur është formuar mbretëria serbo-kroato- sllovene, Serbia ka bërë aneksim e Malit të Zi dhe me atë rast, me një paketë e ka okupuar edhe Sanxhakun. Me një fjalë, Sanxhaku jeton si tokë e okupuar që prej vitit 1918 deri në ditët tona.

Fuqitë e mëdha duhet një dita ta përmirësojnë atë gabim,  ne kërkojmë prej BE dhe SHBA që përfundimisht të zgjidhin statusin e Sanxhakut dhe Boshnjakëve me fillim prej referendumit që qytetarët e Sanxhakut e kanë votuar, për autonomi të plotë politiko-territoriale të Sanxhakut me të drejtë bashkëngjitje të një shteti tjetër.

“Bota Sot”: Cili është raporti juaj me Republikën e Kosovës, a keni bashkëpunim dhe cilat janë fushat në të cilat keni më shumë bashkëpunim.

Ugljanin: Ne jemi shumë me fat që sot Kosova është e pavarur, që të gjithë ata kriminel, më nuk jetojnë dhe janë përzënë nga Kosova, që bashkësia ndërkombëtare ka bërë ndërhyrje humanitare, ndërhyrje ushtarake humanitare. Për këto arsye, është fat i madh që në Republikën e Kosovës është vendosur qetësia, demokracia, liria e zhvillimi dhe se në Kosovë bëhet një jetë normale, multinacionale, multikonfeksionale dhe jetë multikulturore. Kosova sot është shembull se në çfarë drejtimi sot duhet të shkojë Serbia, Serbia duhet që nga Kosova të mësoj shumë, se si mundet në një Kosovë të vogël të pranohet të gjitha të drejtat e popujve jo shumicë, të respektohen në maksimum ato të drejta, si edhe mundësimi që të kenë mediat e tyre, shkollim në gjuhën e tyre. Shembull mund t`ju jap, në Jugun e Mitrovicës, për dy nxënës boshnjak punojnë dhjetë mësues, në anën tjetër në Veriun e Mitrovicës për 240 familje boshnjake nuk ka shkollim në gjuhën boshnjake. Këto gjera duhet parë me kujdes të shtuar, për të parë çfarë dallimesh, vetëm përtej Ibrit  Kosova ka respekt, mirëkuptim, zhvillim, shembuj të tillë kemi edhe në Prizren në Pejë,  ndërkohë serbët nuk ia lejojnë boshnjakëve shkollimin në gjuhën e tyre. Si për të përmbyllur këtë, do tu thosha se Kosova është një shtet modern evropian nga i cili Serbia mund të mësoj shumë.

“Bota Sot”: Kryetar, e dimë se në të kaluarën, në Sanxhak kanë jetuar shqiptarët, ju lutem a keni statistika sa kanë jetuar në të kaluarën, sa jetojnë dhe si jetojnë sot shqiptarët atje dhe cili është statusi i tyre sot atje?

Ugljanin: Sanxhaku është shembull për tu marrë mësim në aspektin multinacional e multireligjionarë. Sanxhaku gjendet në Sanxhak, janë komb autokton Ilir, prej atyre Ilirëve kanë dalë dy popuj, një shumicë prej tyre ka shkuar kah Shqipëria, pra populli shqiptarë dhe pjesa tjetër që duhen boshnjakë e që janë shpërndarë më shumë kah Evropa dhe Bosnja. Ky është një popull, një shifër e njëjtë gjenetike, plotësisht i njëjti popull, por flasim gjuhë të ndryshme. Akademiku serb, Vasa Çubriloviq më vitin 1937 ka përpiluar programin se si ti përzë shqiptarët dhe boshnjakët nga Sanxhaku dhe këtë territor si ta popullojë me serb., siç e shihni sot, në veriun e Sanxhakut sot nuk jetojnë më shqiptarë. Kjo ndonëse jo më nën planin e Çubriloviqit, me metoda tjera por me të njëjtin qëllim edhe gjatë komunizmit, në Jugosllavi. Duhet ti pyesim historianët, ata që merren me të kaluarën, që të na japin një përgjigje, çka kërkojnë qindra mijëra shqiptarë e boshnjak në Stamboll sot, në Izmir e qytete tjera turke?

“Bota Sot”: Grupi Negociator i cili po pretendon të arrijë një marrëveshje “finale” me Serbinë, brenda vetes ka edhe një përfaqësuar të komunitetit boshnjakë në Kosovë, sa jeni të kënaqur?

Ugljanin: Kjo gatishmëri e Prishtinës për ne do të thotë shumë. Që shqiptarët janë, një popull i kulturuar, i civilizuar, që Kosova është një vend i evropian i moderuar, e cila i respekton qytetarët e saj, pa marrë parasysh kombin apo besimin. Kur kanë filluar bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, unë kam qenë ministër në qeverinë e Serbisë, unë atëherë kam kërkuar një vend për përfaqësues boshnjak për shkak të “Mahallës Boshnjake”. Mahalla Boshnjake, është një territor i gogja i madh në anën e majtë të lumit Ibër, ajo kërkesë e imja atëherë nuk është pranuar, është refuzuar dhe na është pamundësuar që ne të jemi pjesë e bisedimeve me Kosovën. Për fatin tonë të mirë, pas 7-8 vitesh, Kosova ka treguar se si duhet të punohet, ka formuar grupin negociatorë, u ka dhënë mundësinë të gjithë përfaqësuesve, edhe shqiptarë edhe popujve të tjerë që nuk janë shumicë të marrin pjesë në bisedime, ku edhe boshnjakët kanë gjetur hapësirë. Në një të ardhme, kur këta nacionalistët, fashistët e ekstremistët  serb të shkojnë nga kjo qeveri, kur në pushtet të vijnë forca të reja politike, si në rastin e Maqedonisë edhe në Bosnje japin kontribut të gjithë popujt, vetëm në Serbi mundohen që të mos i përfillin shqiptarët dhe boshnjakët në vendim marrje. Insistimi i BE-së për të vazhduar bisedimet Kosovë-Serbi. Insistimi i Serbisë karshi BE-së, që të vazhdojnë bisedimet rreth Kosovës, është një gjë tepër e rrezikshme, porosia që me këtë mënyrë jep shteti Serb është që “Ju lutem, jepnani edhe një shansë tjetër, herën e kaluar nuk mundëm ti zhdukim shqiptarët, kësaj radhe do t`ia dalim”.

Nëse Serbia vetë, për veten e saj ka problem me varfërinë, punësimin, të gjitha vështirësitë rreth nevojave tjera për jetesë normale si në shëndetësi, shkollë, infrastrukturë, pra me gjithë këto probleme që ka Serbia, prapë gjen kohë të brengoset për Kosovën. Serbët janë të gatshëm thjeshtë të provokojnë konflikte të reja, por assesi nuk kanë kurrë asnjë qëllim të mirë, për mendimin tim, pala shqiptare duhet ti bëjë një pyetje palës serbe, “Në mënyrë që ne të futemi në bisedime me ju, çka na ofroni ju neve” dhe jo e kundërta.

“Bota Sot”: Kohëve të fundit, më hapur ka dalë në pah një çështje, ajo e bashkimit të komunave Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe në anën tjetër, Serbia të marrë pjesë nga Veriu i Kosovës, si i komentoni këto lëvizje?

Ugljanin: Diçka që në fillim më duhet të them është se ne me shqiptarët kemi bashkëpunim të mirë historikisht, Sanxhaku dhe Kosova kanë bashkëpunim historik së pari, kemi shumë lidhje familjare, martesa të cilat janë mirë të përziera. Boshnjakët janë martuar me shqiptare, por edhe shqiptarët janë martuar me boshnjake, kjo ka qenë një gjë absolutisht normale deri sot. Sa i përket komunave Preshevë, Medvvegjë e Bujanoc, unë si deputet popullorë në parlamentin serb kam pasur grupin parlamentarë të pakicave SDA – Sanxhak me PVD – Preshevë, kemi pasur me Shaip Kamberin, me Riza Halimin ata kanë qenë dy, ne kemi qenë tre dhe kemi funksionuar bashkë. Ne kemi punuar rezolutën që në kuvendin e Serbisë për gjenocidin kundër boshnjakëve në Bosnje e Hercegovinë. Ne para kësaj një memorandum bashkëpunimi mes shqiptarëve dhe boshnjakëve, qysh kur ka qenë gjallë i ndjeri Jonuz Musliu përmes Këshilleve Nacionale, bashkëpunim kemi edhe me kryetarin e tanishëm të atij këshilli Ragmi Mustafën.

Ju lutem, ne jemi dy popuj autokton, ne jemi në Sanxhak, ata janë në Preshevë e ato dy komuna tjera, sipas kësaj, nëse mua më pyesni, ne në Ballkan të gjithë jetojmë si në sistemin domino, gjithçka që ndodh me shqiptarët në ato tri komuna atje, ndjehet edhe në Kosovë e Shqipëri, gjithçka që ndodhë me boshnjakët ndjehet gjithashtu edhe në Kosovë, Maqedoni, Bosnje, për atë them se fuqitë e mëdha kanë obligim që të zgjidhin pyetjen afatgjate të këtyre popujve të vegjël të cilën kanë pësuar shumë nga agresioni serb ndër vite.

“Bota Sot”:  Gati janë bërë tre muaj, që kur qeveria e Republikës së Kosovës e ka vendosur taksën 100% për produktet që vijnë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, si e shihni ju këtë lëvizje nga ana qeveritarëve në Kosovë?

Ugljanin: Unë mendoj që ajo ishte një  përgjigje normale nga një shtet sovran, kundër përpjekjeve të diplomacisë serbe që përmes parave dhe mënyrave tjera të pengojë hyrjen e Kosovës si në UNESCO, INTERPOL por edhe në organizata tjera ndërkombëtare. Ky është një mekanizëm shumë i mirë, Bosnja dhe Serbia kur ta pranojnë Kosovën do tu hiqet ajo taksë, kjo është diçka krejt normale, kjo është e drejtë e tyre absolute.

“Bota Sot”: Me këtë qasje të cilën e ka Serbia kundrejt pakicave, por edhe raporteve me fqinjët, a mendoni se do të duhej ti bëhej aq e lehtë rruga për anëtarësimin e saj drejt BE-së?

Ugljanin: Me këtë qasje të urrejtjes, të cilën e ka momentalisht Serbia, nuk do të mund të pranohej as në Unionin Afrikan e lërë më në atë Evropian. Evropa duhet tu ndihmojë serbëve normal, por edhe grupacioneve normale te cilat janë të gatshme të ndërtojnë një shtet normal. Në serbi jetojnë 21 pakica, përveç 19 tjerave edhe ne dhe shqiptarët të cilët jemi autokton. Ne presim që BE të japë kontributin e saj siç e thash edhe më lartë njerëzve normal,  edhe neve që jetojmë në këtë shtet e që nuk jemi serb të ndërtojmë mekanizma stabile, të ndërtojmë shtet normal si dhe kushte tjera për normalizim të shtetit, e pasi ti realizojmë këto gjëra, të krijojmë mekanizma mbrojtës që më kurrë të mos përsëriten nëse vjen ndonjë Millosheviq i ri, Vuqiq i ri apo edhe Sheshel i ri, ne më nuk i besojmë askujt, boshnjakët e Sanxhakut nuk kanë të drejtë të i besojnë më askujt, ne patjetër duhet të gjejmë zgjidhje me anë të ndihmës së BE-së. Nëse nuk do të kishim intervenim të NATO-s, sot nuk do të mbetej asnjë shqiptarë në Kosovë, do të thotë se kjo ka qenë një ndërhyrje humanitare tepër e rëndësishme. Ne nga bashkësia ndërkombëtare presim që ta ndihmojnë shtetin e Kosovës të qëndrojnë në këmbët e veta, si dhe normal, me anë të arritjes së qetësisë dhe jetesës së mirë në Kosovë, automatikisht reflekton pozitivisht edhe në Sanxhak. Mund të them se edhe pas futjes së Malit të Zi në paktin NATO, gjysma e Sanxhakut ka mbrojtjen dhe garancën e sigurisë nga NATO, nga çfarëdo lloj agresioni, ndërkohë kjo gjysma tjetër nën Serbi, në të cilën jemi ne, ende është nën thundrën e nacionalistëve të mëdhenj serb.

“Bota Sot”: Nëse do të ishte e mundur të zgjidhnit ju si Sanxhak, me Kosovën apo me Serbinë, cfarë do të zgjidhnit, do të qëndronit aty ku jeni dhe të kërkoni të drejta në Serbi apo do të bashkoheshit me Republikën e Kosovës?

Ugljanin: Ekziston diçka këtu, njerëzit flasin nga përvojat e veta. Shqiptarët dhe Boshnjakët janë komb që ekzistojnë përpara sllavëve, ata që para sllavëve kanë qenë në këto anë, kanë qenë Ilirët. Boshnjakët dhe Shqiptarët kurrë nuk kanë pasur raporte armiqësore mes vete, kurrë nuk i kanë shkaktuar fatkeqësi askujt, as mes veti. Siç e kam thënë edhe më lartë, janë dy popuj të kulturuar, të civilizuar, më të vjetrit në Ballkan të cilët forcat serbe me dhunë kanë dashur ti largojnë nga Ballkani. Në këtë kontekst, njerëzit edhe sot mund ti dëgjojmë në Sanxhak kur thonë, “këtë vikend do të shkoj në Kosovë ta qetësojmë shpirtin”.

SHPËRNDAJE