Rastet e kërcënimeve dhe përdorimi i dhunës ndaj gazetarëve gjatë vitit 2011 është rritur. Shifrat e paraqitura nga Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK), janë cilësuar si shqetësuese. Për këtë situatë të rënduar, AGPK një pjesë të fajit e ka hedhur tek mungesa e legjislacionit, pasi gazetari në Kosovë vlerësohet si qytetar dhe jo si një zyrtar.

Në një konferencë për media të mbajtur të hënën, drejtuesit e AGPK-së kanë dhënë shifrat e rasteve të kërcënimeve ndaj gazetarëve brenda një viti, ndërsa këtë javë e kanë quajtur java e gazetarëve, pasi që do të zhvillohen aktivitete të ndryshme.

Kryetar i AGPK-së, Arben Ahmeti ka thënë se gjatë këtij viti janë raportuar 27 raste të kërcënimeve, ndërsa në 9 raste është ushtruar edhe dhunë fizike ndaj gazetarëve të Kosovës. Sipas tij, niveli i kërcënimeve ka qenë gjithëpërfshirës, si nga qytetarët, bizneset dhe deri tek punëtorët institucionalë.

“Këtë vit një kërcënim është bërë prej një deputeti të Kuvendit të Kosovës, pra niveli i kërcënuesve që është gjithëpërfshirës, prej biznesmenëve të ndryshëm tek punëtorët institucionalë e deri tek deputetët e Kuvendit të Kosovës. Në tri raste gazetarët dhe mediat janë fyer publikisht, janë kryesisht fyerje që bëhen në baza të identitetit të medias, është shumë i përhapur fenomeni identifikimit të mediave si anti-shtetërore dhe si media që funksionojnë si media të Serbisë këtu”, ka thënë ai.

Shifrat e paraqitura nga AGPK tregojnë se ky vit që po e lëmë pas ka pasur më shumë raste se çdo vit tjetër prej vitit 2002, prej kur ekziston asociacioni.

Ahmeti bëri të ditur se AGPK-ja ka filluar t’i përcjell të gjitha rastet e kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve në gjykata, ndërsa ka kërkuar përgjegjësi prej Policisë së Kosovës për çdo rast kur është raportuar dhe kur gazetarit iu është shkelur e drejta.

Drejtuesit e AGPK-së theksuan edhe faktin se aktualisht Kodi Penal i Kosovës nuk e trajton profesionin e gazetarëve si të ndonjë zyrtari dhe përderisa nuk e trajton si të tillë, gazetari është një qytetar i thjeshtë, raporton Kosovapress.

Nga ana tjetër anëtari i AGPK-së, Artan Haraqia ka thënë se është fatkeqësi e madhe rritja e numrit të rrahjeve ndaj gazetarëve, madje edhe rrahja deri në alivanosje.

“Gazetarët në Kosovë nuk trajtohen si persona zyrtar dhe kjo është ajo pamundësia për të vazhduar më tutje me trajtimin e duhur edhe prej organeve të shtetit dhe të drejtave të gazetarëve. Kemi raste që gazetarët janë rrahur dhe rastet e tyre nuk janë proceduar më tutje, bile edhe janë humb diku dosjet e tyre. Kemi raste që është rrahur gazetari deri në alivanosje”, ka theksuar Haraqia.

Ndërkaq, anëtarja tjetër e AGPK-së, Edona Musa ka përmendur problemin e gazetarëve që kanë për qasje në dokumentet zyrtare. Në kërë rafash ajo ka ritheksuar edhe mungesën e zëdhënësit të Qeverisë së Kosovës, duke e cilësuar si të mbyllur këtë qeveri për mediat.

Ndryshe kjo javë është quajtur java e gazetarisë për shkak të aktiviteteve të ngjeshura që do të ketë asociacioni. Nga nesër do të fillojnë të mbahen tryeza për pozitën e gazetarëve në Kosovë, pastaj do të diskutohet për qasjen e dokumenteve zyrtare, raportimi i të drejtave të njeriut, raportimi nga gjykata dhe hulumtimi i korrupsionit. Ndërsa më 9 dhjetor do të bëhet ndarja e çmimeve gazetareske kundër korrupsionit.

SHPËRNDAJE