Mundësia e kthimit të vizave për Maqedoninë ka shqetësuar dhe sektorin civil. Organizatat joqeveritare që prej kohësh merren me procesin euro-integrues të vendit, vlerësojnë se nëse Maqedonia vazhdon të mos ndërmarrë asgjë për të penguar këtë proces rrezikon t’i kthehen vizat. Lidija Dimova nga Qendra maqedonase për edukim evropian konsideron se qeveria ka ende kohë që të ndërmarrë hapa konkrete, siç janë angazhimi i njerëzve nëpër kalimet kufitare ku udhëtarëve do t’u shpjegohej se çfarë nënkupton liberalizimi i vizave. Ajo nuk përjashton mundësinë që vendet e BE-së mund të të kërkojnë nga Maqedonia që në mënyrë obligative nga çdo udhëtar që do të vizitojë ndonjë vend evropian t’i kërkohet shumë e caktuar parash.“Tani a mund të bëjë diçka qeveria që të pengojë këtë. Kuptohet që po. Shumë e thjeshtë. Do të shtyp borushura, do të jap grante 5 organizatave të rëndësishme, do t’i detyrojë që të qëndrojnë në të gjitha kalimet kufitare dhe secilit udhëtar t’ia jap broshurën që shpjegon se çfarë është liberalizimi i vizave, nuk është gjë që nuk mund të bëhet. Por se a do ta bëjë?. Natyrisht që jo…, sepse qeveria dhe e gjithë administrata e punësuar nga VMRO DPMNE tash janë në fushatë dhe gjithçka tjetër është dytësore…liberalizimi i vizave tani nuk ka rëndësi, prandaj jam skeptike se do të bëjnë diçka dhe frikësohem se do të na i kthejnë vizat”, tha Lidija Dimova nga Qendra maqedonase për edukim evropian.

Edhe eurodeputetja Tanja Fajon dje në linjë telefonike për Alsat-M, tha se Maqedonia ka akoma kohë në dispozicion nëse dëshiron të ndërmarrë masa më të rrepta dhe të evitojë mundësinë e rikthimit të vizave. “Unë do t’u bëja apel gjithë autoriteteve përgjegjëse në Maqedoni të bëjnë çmos për të parandaluar njerëzit të udhëtojnë ilegalisht apo të kërkojnë azil në shtetet Shengen.. Jam e sigurt se qeveritë dhe autoritetet e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Është e domosdoshme gjithashtu që ato të sigurojnë të gjithë informacionin, me të gjitha hapat që po ndërmarrin”, tha Tanja Fajon, raportuese e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave.

Por ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Antonio Milloshoski deklaroi se ka bërë gjithçka që liberalizimi i vizave të bëhet realitet. “Ne i ndërmorën të gjitha masat e nevojshme aty ku kishte mangësi të caktuara. A ekziston frikë se do të ndodh diçka e tillë? Jemi të sigurt për këtë që e kemi arritur. Maqedonia i realizoi të gjitha kushtet dhe kriteret dhe ka kapacitet institucional që t’i ruaj ato. Liberalizimi i vizave është dobi e përhershme dhe pasaporta maqedonase nga viti 2009 e tutje do të jetë pjesë e pasaportave që e gëzojnë privilegjin e lëvizjes së lirë në Evropë”, tha Antonio Milloshoski, ministër i Jashtëm i Maqedonisë. Ministria e Jashtme kohë më parë kishte deklaruar se për t’u përballur me fluksin e azilkërkuesve do të vazhdojnë me fushata informative, kurse si masë të fundit parashikonin edhe zbatimin e shembullit të Bullgarisë që nënkupton marrjen e dokumenteve të udhëtimit. Bashkimi Evropian prej kohësh reagon ashpër jo vetëm për fenomenin e azilkërkuesve, por edhe për vizitorët që nuk plotësojnë kushtet për të hyrë në shtetet e BE-së.

SHPËRNDAJE