TIRANE, 22 Shtator /ATSH/By   -Kryeministri Edi Rama mbajti të premten një fjalim në sesionin e 72-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB, që po zhvillon punimet në New York.

 

Në fjalën e tij, Kreu i Ekzekutivit deklaroi se prioritet i qeverisë është anëtarësimi në BE.

“Integrimi prek çdo qelizë të arkitekturës sonë të zhvillimit. Është aftësia jonë për të bërë reformat e nevojshme që do të mundësojnë këtë proces. Reforma e drejtësisë që po zbatojmë është çelësi”, tha Rama duke shtuar se Shqipëria pret që partnerët europian të hapin dyert për negociatat e anëtarësimit.

“Shpresojmë që BE, pavarësisht krizës aktuale, zgjerimin ta ketë prioritet. Aq sa Shqipëria ka nevojë për BE, aq edhe BE ka nevojë për një Ballkan më të zhvilluar e të qëndrueshëm”, nënvizoi kryeministri.
Rama tha gjithashtu se  është e nevojshme që ndërkombëtarët t’i trajtojnë në mënyrë të barabartë të gjithë faktorët në rajonin e Ballkanit, përfshirë këtu Kosovën, e cila sipas tij ka nevojë të anëtarësohet në institucionet ndërkombëtare.
“Ne besojmë se pranimi i Kosovës në çdo institucion rajonal me të drejta të barabarta po ashtu si vendet e tjera është me rëndësi thelbësore. Ka pasur nga ata që e kanë përdorur këtë foltore për të shprehur shqetësimin dhe frikën se pavarësia e Kosovës do të çlirojë disa forca të errëta që askush nuk do të jetë në gjendje ti kontrollojë. Ne nuk kemi parë asgjë nga kjo, përkundrazi çfarë ka ndodhur realisht është se kosovarët në Kosovë dhe në Shqipëri dhe serbët, dikur të kërcënuar me shfarosje nga një regjim brutal, tani janë të lirë që jetojnë në një vend demokratik. Kush mund të mohojë arritjet mbresëlënëse të Kosovës më pak se një dekadë në pavarësinë e saj. Në konsolidimin e institucioneve të saj, në qeverisjen e mirë, bashkëjetesën multietnike dhe ndërfetare, duke përfshirë progresin e dukshëm në proceset euroatlantike.Prandaj ne besojmë se anëtarësimi i Kosovës në organizmat ndërkombëtarë do t’i shërbejë stabilitetit. Shumë e kanë përdorur këtë foltore për të deklaruar se nga pavarësia e Kosovës do të lindin forca të errëta. Asgjë nga këto nuk ndodhi. Sot Ballkani perëndimor është shumë i mirë se 7 apo 10 vjet përpara. Pavarësia e Kosovës jo vetëm nuk çliroi asnjë forcë të errët, por solli stabilitet”, deklaroi Rama.

 

Në fjalën e tij, Rama tha  se terrorizmi dhe regjimi korean janë kërcënimet me të cilat përballet bota, ndërsa mbështeti iniciativën e SHBA për reformimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

“Sa herë ka ndodhur që njerëzimi të përballet me kaq shumë sfida konkrete si në ditët e sotme. Kur ka pasur një tjetër kohë që të jemi përballur me kaq probleme?”, tha Rama. Konfliktet e armatosura vijoi ai, janë tashmë më komplekse, armët janë më të sofistikuara duke rritur vuajtjet njerëzore. Ndërsa miliona njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre, janë tregues i dyshimit kolektiv. Katastrofat janë duke u bërë më të shpeshta, duhet të përshtasim jetën për të mbrojtur planetin”, tha ai.

Kryeministri tha se terrorizmi global sot po kërcënon vlerat e botës.

“Situata në Azi, krizë e përshkallëzuar nga politikat kokëforta të një regjimi, kanë rikthyer frikën enjë konflikti të tmerrshëm bërthamor. Asnjë vend nuk mund të përballet këto probleme i vetëm, kërkohet reagim i unifikuar. Vizioni dhe veprimet duhet të jenë universale . Unë ritheksoj zotimin për të bërë detyrën tonë. Rrija e ekstremizmit vazhdon që të jetë një sfidë që kërkon zgjidhej të ngutshme. ISIS ka humbur 90% të territorit, përgjigja duhet të vazhdoj딑, theksoi kryeministri.

Duke nënvizuar pozitën e Shqipërisë në koalicion kundër ISIS-t, Rama u shpreh se “Shqipëria ishte një nga vendet e para të koalicionit kundër ISIS. Tani po zbatojmë një plan për kapacitete vepruese. Ne vlerësojmë bashkëpunim mes OKB dhe BE në politikën e mbrojtjes. Njerëzit duan të jenë të çliruar nga frika dhe dhuna. Shqipëria e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e grave, për herë të parë në Shqipëri kemi një qeveri me përbërje të barabartë mes burrave dhe grave”. Prioritet i Shqipërisë është integrimi në BE, tha ai, ndërsa nënvizoi se, “ne jemi të vetëdijshëm se është angazhimi ynë për të bërë reformat për shpejtësinë në vendimin e BE”.

SHPËRNDAJE