Kryetrajneri i Llapit, Tahir Batatina, dje pas humbjes nga Gjilani ka hedhur akuza të rënda në drejtim të gjyqtarit Mentor Ajeti dhe asistentëve të tij. Llapjanët ishin në epërsi si mysafirë të Gjilanit, por në pjesën e dytë pësuan dy gola (njërën nga penalltia, e cila u akordua pas rishikimit në VAR) dhe u kthyen duarthatë nga ky udhëtim. E fajtorë për këtë humbje sipas Batatinës ishin gjyqtarët.

“Mendoj që Gjilani nuk e fitoi lojën, por Mentor Ajeti me ekipën e vet. E pamë nga fillimi që është kundër Llapit dhe dëshiron me çdo kusht ta mposht Llapin. Bëri çdo gjë për të ardhë te zona dhe ta akordojë penalltinë. E pamë se cila ekip dominoi në fushë, por ne nuk mundemi të luftojmë ndaj 6 gjyqtarëve. Mentori nuk duhet më të komentojë ndonjë tjetër takim të Llapit, ose përndryshe do të marrim ndonjë tjetër masë. Janë bërë shumë ndeshje dhe VAR-i siç duket dëshiron ta bën Gjilanin kampion. Kush e ka pa sot futbollin, e ka vërejtur që çdo vendim ka qenë kundër Llapit. Nuk është me rëndësi a fiton Gjilani a Llapi, por niveli i Kosovës që i qesin fëmijët që nuk i kanë as 2 lojë në Superligë të referojnë një derbi sikurse ky. Ekspertët gjyqtarë po vendosën në VAR e ky në fushë, kjo nuk pranohet”, ka thënë dje pas ndeshjes Batatina në prononcimin për media.

Megjithatë, më pak se një vit më parë timonieri i Llapit e kishte lavdëruar gjyqtarin Mentor Ajeti dhe kolegët e tij të rinj, pasi këta të fundit kishin debutuar në elitë dhe ishin vënë në shënjestër të disa portaleve, duke u etiketuar me emrat e familjarëve të tyre.

“Super djem dhe super arbitra janë këta të deleguar dhe gjithmonë do t’i përkrahi edhe nëse gabojnë. Këta do t’i mbështesim sepse këta nuk kanë qëllim dhe nëse e ka marr një hap të qëlluar FFK-ja është ky vendim që këta djem të referojnë në superiore”, kishte shkruar Batatina në komentin e tij në artikullin për katër gjyqtarët debutues në elitë: Mentor Ajeti, Valbon Hoxha, Lirim Jashari e Vigan Ibërdemaj në dhjetor të vitit të kaluar.

Gjithsesi, tani Batatina pritet të ketë punë me Komisionet e FFK-së, të cilat për deklarata të tilla zakonisht inicojnë procedura disiplinore dhe vendosin gjoba ndaj personave zyrtarë.

SHPËRNDAJE