nishh1Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry nisi axhendën e takimeve zyrtare në Tiranë, me takimin me ministrin e Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati.

Takimi po zhvillohet në selinë e kryeministrisë, pa praninë e medias. Në vijim, Sekretari amerikan do të zhvillojë takimin kokë më kokë me Kryeministrin Edi Rama, që do të pasohet nga konferenca për shtyp mes dy zyrtarëve të lartë.

Sekretari i Shtetit, Kerry sipas medias do të takohet me Kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha në ambientet e Hotel Rogner dhe më pas do të zhvillojë një takim me të rinj të shoqërisë civile në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.

Zyrtarisht, shefi i diplomacisë amerikane vjen në Tiranë për të shënuar 25-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry është i pesti drejtues i Departamentit të Shtetit që viziton Shqipërinë, pas viteve ’90.
I pari që shkeli në Tiranë, në vitin 1991 ishte sekretari i atëhershëm Xhejms Bejker, të cilit iu rezervua një pritje madhështore në Shqipërinë e sapo dalë nga izolimi komunist.

Vizita e dytë do të ishte në vitin 2000, e znj. Madelein Albright, ndërsa pak vite më vonë në vitin 2003 do të vinte sekretari i atëhershëm Kolin Pauell, vizita e të cilit do të vendoste bazat e anëtarësimit të mëvonshëm të Shqipërisë në NATO.

Ngjarja më kulmore në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane është vizita në vitin 2007 e presidentit të atëhershëm George W. Bush, i cili nga Tirana paralajmëroi pavarësinë e Kosovës.

Ndërsa në 1 nëntor 2012, vendin tonë e vizitoi Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, në kuadër të një turneu në vendet e Ballkanit Perëndimor, që synonte nxitjen e reformave ekonomike dhe demokratike në këtë rajon.

***

nishshsPresidenti i Republikës, Bujar Nishani i uroi te dielen mirëseardhjen në Tiranë , Sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, duke shprehur mirënjohjen e thellë të shqiptarëve për të gjithë mbështetjen e pakursyer, veçanërisht për integrimin e vendit në strukturat Euroatlantike.

“Presidenti Nishani u shpreh se kjo vizitë është dëshmi e qartë dhe domethënëse se miqtë dhe partnerët tanë më të mirë janë pranë nesh në këto momente që rreziqet dhe kërcënimet janë afruar me Shqipërinë dhe rajonin”, thuhet në një njoftim nga zyra e shtypit të Presidencës, pas pritjes qe kreu i shtetit i beri Sekretarit të shtetit amerikan ne Aeroportin Nene Tereza.

“Kreu i Shtetit shqiptar e siguroi Sekretarin Kerry për vendosmërinë e Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presidenti Nishani përcolli gjithashtu përshëndetje të ngrohta e të përzemërta për Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama”, thuhej në deklaratën për mediat nga zyra e shtypit të presidencës.

SHPËRNDAJE