sevddShkruan: Sevdail Hyseni

Zhvillimi ekonomik, prodhon stabilitet politik dhe mirëqenie sociale. Dy kryeministrat e dy vendeve dhe popujve më të mëdhenj në Ballkan:

Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama, janë pajtuar në parim se “pavarësisht nga dallimet politike, marrëdhëniet Serbi – Shqipëri, po zhvillohen në drejtimin pozitiv dhe në dobi të banorëve të dy shteteve”, duke ushqyer mbështetjen dhe simpatinë e faktorëve ndërkombëtarë.

Ka përfunduar sipas protokollit, Forumi ekonomik i bizneseve serbo – shqiptare, gjashtë ditor, në Nish të Serbisë, i cili nuk kaloi pa jehonë në qarqet vendore dhe ndërkombëtare.

Takimi i përbashkët i dy kryeministrave Vuçiq – Rama dhe kabineteve të tyre ministrore, përkundër reagimeve të ndryshme, vlerësohet i qëlluar dhe frytdhënës.

Themelimi i Odës së përbashkët ekonomike, midis Beogradit dhe Tiranës, nxit dhe inkurajon Kompanitë e bizneseve serbo – shqiptare për investime të ndërsjella.

Lidhjet tregtare serbo –  shqiptare, do t’i relaksojnë dukshëm raportet Serbi – Shqipëri, të cilat për shkak të kaluarës së hidhur, dallimeve politike, pastaj çështja e Kosovës, Trepçës dhe shqiptarëve në jug të Serbisë, përkatësisht në Luginë të Preshevës, jo rrallë kanë nxitur tensione ndërshtetërore.

Duke u nisur nga e kaluara problematike mes Beogradit dhe Tiranës, Forumi historik i biznese, u quajt histerik, nga disa qarqe, të cilat këto dy shtete dëshirojnë t’i shohin të armiqësuara, duke e shikuar njëra – tjetrën përmes grykës së pushkës, madje disa parti opozitare në Serbi, kërkuan pezullimin e vizitës së Ramës në Serbi, për shkak deklaratës së tij për pavarësinë e Kosovës.

“Besa” shqiptare dhe “politika” serbe

“Shqiptarët janë njerëz të besës, prandaj duhet punuar me ta”,”, tha Vuçiq dhe shtoi: “Dua të inkurajoj njerëzit tanë të shkojnë në Shqipëri, të ndërtojnë objekte turistike, të krijojnë kompani të përbashkëta. Shqiptarët e mbajnë fjalën dhe janë njerëz të mirë dhe të punës. Unë jam ndoshta subjektiv, por dua t’u them se kjo është e mirë për Serbinë dhe punoni mirë me ta. I kuptojmë ndarjet politike, por duhet t’i kthehemi të ardhmes”.

Kryeministri serb, Aleksandër Vuçiq, duke vlerësuar lart shqiptarët si karakter, nuk harroi pa e lavdëruar edhe homologun e tij, Edi Ramën, thjesht, duke thënë se është më me përvojë dhe më i aftë se, ai, në politikë.

Këto vlerësime pozitive të kryeministrit Vuçiq, shpesh kaluan në batuta dhe u shfrytëzuan nga mediet për qesëndisje dhe tallje me “besën” e pa besë të shqiptarëve dhe mirësjelljen hipokrite serbe, si relikte të shkuarës.

Mediet shqiptaro– serbe, mbushën faqet me përurimin e librit të kryeministrit Rama: “Kurbani” i Ramës “flijohet” në Beograd, pastaj komentet e ndryshme rreth librit dhe kravatës së kryeministrit Rama, me emblemë të një kryqi në rreth.

“Sallata” shqiptare dhe “muzika” serbe

Nëpër restorante të ndryshme në Nish dhe qendra të tjera të Serbisë, kohëve të fundit, në menytë ushqyese, ka filluar të përdoret termi: “sallata shqiptare”, krahas “sallatës ruse”, “sallata shope” etj.

Duke ngrënë me shije “sallatën” shqiptare, në ambientet luksoze serbe, dëgjohen tingujt e  këngës “Banja e Nishit, uji i ngrohtë”/Niska Banja, topla voda/.

Ushqimi dhe muzika, shkojnë bashkë, nuk njohin ngjyrime politike. Na ka rënë shpesh të dëgjohet një si urti popullore: “Ruaju nga shqiptari i uritur dhe serbi i dehur”. Poeti ynë i dashur Ali Asllani, në vargjet e tij plot shpirt thoshte: “Dynjallëk or tungjatjeta, bëhet njeriu qesharak, sado që është i lartë truri, i ka rrënjët në stomak”.

Ushqimi dhe muzika, kalojnë kufijtë shtetëror, mentalitetet dhe paragjykimet, për aq sa ka nevojë njeriu pasionet.

Marrëveshjet “gojore”, karshi  “ligjeve” vendore

Spektri politik i Luginës së Preshevës, Forumin Ekonomik të Beogradit e quan historik dhe Marrëveshjen për përdorimin e teksteve mësimore nga Shqipëria në Luginë e vlerëson shpresëdhënëse.

“Modeli i propozuar nga kryeministri Rama, e që ishte i pranueshëm edhe për kryeministrin serb, ishte që nxënësit tanë të mësojnë me libra nga Oxfordi dhe Cambridge që tashmë i posedon Tirana në gjuhën shqipe të cilat do ti dërgohen Serbisë që ti përdorin nxënësit shqiptarë të Luginës së Preshevës”.

Mirëpo, ka zëra, që një marrëveshje të tillë e vlerësojnë të nxituara, madje edhe provokuese për Kosovën e cila ka provuar disa herë ta zgjidh një problem të tillë pa sukses.

Problemi i teksteve mësimore për nxënësit shqiptar në Serbi, duket të zgjidhet në frymën e plan programeve të Ministrisë së Arsimit, duke u korrigjuar ato dhe duke iu përshtatur kërkesave të shqiptarëve, për një edukim të mirëfilltë kombëtar e qytetar.

Në këtë drejtim kritikat bien në Këshillin Nacional, i cili më shumë është marrë me politikë paushalle se sa me zgjidhjen e problemeve në fushën e arsimit, probleme këto të cilat bashkësitë etnike në Serbi, i kanë kryer me kohë.

“Binjakëzimet” si model bashkëpunimi

Vizita e kryeministrit Rama, në Beograd dhe Nish, ka nxitur edhe një përparim në fushën ekonomike, duke motivuar komunar shqiptare për binjakëzim me komunat në Shqipëri, pastaj investimet e përbashkëta shqiptaro – serbe në këtë rajon si dhe agjenda e shtuar e vizitave të ministrave serbë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Na ka rënë shpesh të dëgjojmë se pa stabilizim ekonomik, nuk stabilizim politik. Ky konstatim nuk ka sit ë mos lidhur me këtë takim të forumit ekonomik, i cili në njëfarë mënyrë do t’i relaksoj raportet e Beogradit me shqiptarë e Luginës dhe Kosovës.

Kryeministri Rama, ka një plan strategjik se si të konkretizohen ndihmat e Beogradit dhe Tiranës për Luginën e Preshevës, e cila llogaritet si urë lidhëse mes dy vendeve dhe popujve më të mëdhenj në Ballkan.

Dy kryeministrat Vuçiq – Rama, gjatë këtij takimi të lart diplomatik, janë pajtuar në parim se “pavarësisht nga dallimet politike, marrëdhëniet Serbi – Shqipëri, po zhvillohen në drejtimin pozitiv dhe në dobi të banorëve të dy shteteve”, duke gjetur mbështetje edhe te faktorët ndërkombëtarë.

Zhurmëria propagandistike

Shtypi i verdhë serb, madje edhe ai shqiptar, duke llogaritur edhe deklaratat e disa politikave dhe analistëve të pavarur, rreth vizitës së kryeministrit Rama në Serbi, krijojnë një imazh të keq mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Kjo zhurmëri propagandiste, vjen si rezultat, i kinse ndonjë marrëveshjeje interne midis kryeministrave: Rama – Vuçq, për autostradën Nish – Prshitinë –  Durrës, një projekt kapital, që lidh tre shtete dhe shumë popuj.

Zërat politikë se kush ka të drejtë të flas për Kosovën në Beograd, pastaj secili duhet t’i asfaltoj rrugët më territorin e vet dhe se askush nuk mund të sillet si lider i shqiptarëve në Ballkan, tregojnë sa larg jemi idesë dhe idealit për bashkim kombëtarë dhe integrim në proceset evropiane.

Paramendoni sa larg ka shkuar politika lokaliste, provinciale e shqiptarëve: shqiptari ia kufizon shqiptarit, të flas në emër të territorit të ndarë me kufij shtetëror e politik, të cilat i kemi dhuratë nga shtete fqinje dhe Evropa.

Bashkimi kombëtar dhe proceset integruese, nuk arrihen me shantazhe e sherre verbale mes faktorëve shqiptarë, të cilët sipas “propaganduesve”, duhet secili të flas nga pozicioni dhe vendi ku udhëheq.

Këto mendime s’ka se të mos na kujtojnë fjalën e urtë popullore: “Gjeli mbret, mbi pleh të vet!”

(Autori është gazetar e publicist nga Lugina e Preshevës)

SHPËRNDAJE