Shkruan Mentor KIKIA

Amerikën (kupto SHBA) e kanë cilësuar si tokën e bekuar, qëkurse kontinenti u zbulua dhe aventurierët e njerëzit më të guximshëm të Europës u nisën me anije për të pronësuar tokat e reja të globit tonë e për të themeluar atje shtetin më të fortë dhe shoqërinë më të lirë në botë. Ka një mijë arsye për të shpjeguar se përse Amerika u bë Amerikë dhe vazhdon të jetë edhe sot copa më joshëse e planetit për të gjithë njerëzimin mbi tokë. Por, një gjë ne e dimë mirë, se më shumë se toka e begatë dhe pasuritë e pamata të natyrës, janë njerëzit ata që e bënë Amerikën një simbol të begatisë. Tashmë, disa qindra vjet pas zbulimit, më shumë se toka e bekuar, Amerika është vendi i mundësive të mëdha dhe mbi të gjitha, vendi i shanseve të barabarta, sepse ai është vendi i lirisë.

Ja ç’ngjau dy ditë më parë në shtetin e Ohio-s. Një burrë në moshë, i palarë, me flokë të paprerë e i veshur si mos më keq, me pak fjalë një lypsar që flinte rrugëve e poshtë urave me shishen e alkoolit në dorë, u bë protagonist i mediave amerikane. Pikërisht ky njeri u bë papritur personazhi i ditës në televizionet e shtetit të Ohio-s, deri edhe tek ‘CBS’-ja i madh. Ndërsa u zinte rrugën makinave duke kërkuar 1 dollar, Ted Williams i bënte të tjerët të dëgjonin zërin e tij, një zë krejtësisht i veçantë, nga ato që regjisorët e radiove e televizioneve i kërkojnë me qiri.

“E kam dhuratë nga Zoti”, – tha Ted më pas, por jeta ka treguar se Zoti nuk bën dot gjë i vetëm në tokë.

Sapo zëri i tij u dëgjua nga një producent i rrjetit më të madh televiziv të Ohio-s, Williams u shndërrua menjëherë në një njeri të kërkuar nga media. Ai u shfaq ‘live’ në edicionet e lajmeve të televizioneve e u intervistua në disa studio radiosh. Imazhi i tij u ndryshua dhe pas lypsarit të rrugëve doli se ishte një burrë, që dikur, në rininë e tij, kishte provuar të bënte folësin e radios, por që kishte përfunduar i mundur nga droga dhe alkooli. Sot Williams nuk është më një lypsar, por një folës, të cilit ndoshta i duhet të përzgjedhë oferta për punë nga rrjetet radio-televizive, në krizë për “golden voice”.

Do ta quanim këtë një përrallë të bukur, por në fakt kjo është Amerika, ose më saktë, kjo është shoqëria amerikane!

Të mendojmë për një çast që një njeri të veshur keq e më keq, ashtu si ata qindra që enden rrugëve të qyteteve shqiptare, të mund të përfundonte në një studio televizive në Tiranë apo në stacionet televizive lokale për një aftësi të veçantë. Çfarë do të mendonim ne, ne brenda mediave, por edhe ata jashtë mediave, teleshikuesit me telekomandë në dorë? Po më mirë të mos hamendësojmë kot. Ai burrë nuk do të shkelte kurrë, asgjëkundi, në një studio radiofonike a televizive në Shqipëri. Askush nuk do t’i qasej, e pale të mendonte se mund ta merrte e ta pastronte për ta nxjerrë para mikrofonit. Dhe, a e dini pse? Sepse, fodullëku ynë patriarkal nuk na lë të mendojmë se pas një njeriu me zhele mund të qëndrojë një njeri i aftë e i zoti, se pas një njeriu të varfër e pa mbështetje mund të gjendet një profesionist i mirë. Dhe sepse, e mbi të gjitha, ky vendi ynë nuk është vendi i shanseve dhe mundësive të barabarta. Shqipëria jonë, gjithnjë e më shumë po zhytet në bajraktarizëm e po qeveriset në çdo seksion të jetës përmes klientelizmit.

Në faqet e gazetës “Shqip” mund të lexoni shpesh analiza brilante me autor Dritan Hila, nëpunës i Ministrisë së Jashtme dhe një njohës i shkëlqyer i politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Hila kërkonte të botonte në shtyp, por e refuzonin sepse ishte i panjohur, kërkonte të ishte pjesë e paneleve në debatet televizive, por sërish refuzohej dhe sërish sepse ishte i panjohur për publikun. Ai nuk kishte dalë dhe nuk ka dalë ndonjëherë në TV. Ndërsa ata, të njohurit e të “famshmit”, mbinin e mbijnë ekraneve nga mëngjesi deri pas mesnate. Brenda të njëjtës ditë i sheh në pesë emisione të ndryshme televizive, duke folur për politikën e jashtme, për krizën e brendshme, për arsimin, për bujqësinë, përmbytjet, të drejtat e grave, romëve, homoseksualëve etj. Këta të pacipë mendimdhënës, janë sot mëshirimi i një shoqërie që pjell dhe udhëhiqet nga mediokriteti dhe fasada. Ai del më shumë në TV, ai është më i dituri e më i zoti.

Përkundër shoqërisë amerikane që i jep mundësinë një lypsari që brenda një dite të shndërrohet në yll radio-televiziv, në shoqërinë tonë, ne, tradicionalisht kemi prodhuar e prodhojmë stereotipa që i mitizojmë, i dashurojmë dhe në mënyrë të verbër ua besojmë të gjitha hajvanllëqet që thonë. Dhe, këtu nuk flitet për njerëz të medias, por së pari për ata që ne rëndom i emërtojmë si liderë të politikës, të cilëve ne u shkojmë pas me një bindje të frikshme. Dhe kur punët nuk ecin mbarë, ne këta njerëz i mallkojmë, i shajmë, i pështyjmë e prapë i lëpijmë, sepse ne “vetëm këta kemi”, nuk kemi alternativë tjetër. Shoqëria jonë nuk qarkullon dot udhëheqës, nuk transfuzon liderë dhe nuk prodhon dot udhëheqës të rinj dhe jo se nuk ka, porse mënyra jonë patriarkale e të jetuarit dhe mbi të gjitha, mënyra jonë klienteliste e organizimit publik nuk lë të ngrejë krye njeri jashtë klanit dhe pa miratimin e kapos së klanit. Ne dashurohemi me mitin dhe miti prodhohet pikërisht aty, në ekranin e vogël, në një garë se kush shan e kush bërtet më shumë. Një grusht njerëzish kanë pronësuar sot të drejtën e të qenit publikë, të drejtën e të qenit udhëheqës e liderë të politikës dhe gjithkush tjetër që do të synojë të bëhet i tillë duhet ta bëjë këtë vetëm me lejen e tyre. Dhe, për këtë nuk është faji i kësaj kategorie  “liderësh”, por i yni, i gjithë shoqërisë, e cila më shumë se një shoqëri e civilizuar ngjan me një kope të futur në vathë, që me hir a pahir duhet vetëm të duartrokasë liderin që dërdëllit.

E në daltë dikush andej nga fundi i vathës sonë të thotë ndonjë gjë më me mend, e gjithë kopeja do të blegërijë: E kush është ky, kush e njeh këtë, a ka dalë ndonjëherë në televizor ky? E sërish do të kthejmë kokën nga lideri, duke përplasur putrat tërë përulësi.

Do ta quanim këtë një ëndërr të frikshme? Po, por kjo është Shqipëria, ose më saktë, shoqëria shqiptare.

SHPËRNDAJE