Qindra qytetarë protestë përpara ambasadës së Serbisë dhe asaj maqedonase

Qindra qytetarë të kryeqytetit iu përgjigjën pozitivisht thirrjes së lëvizjes “Shqipëria e Re”, e cila

organizoi një protestë paqësore në Tiranë, me moton: “Në mbrojtje të vëllezërve, motrave dhe nënave tona shqiptare në Maqedoni dhe Preshevë”. Protesta ishte konceptuar në formën e një marshi që u mbajt përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit përballë Ambasadës së Serbisë në Tiranë si dhe më pas përballë ambasadës së Maqedonisë. “Protesta ka për qëllim t`i tregojë të gjithë botës se ne shqiptarët jemi gjallë dhe nuk e mbulojmë të vërtetën me heshtje, mosreagim dhe papërgjegjshmëri, dhe se përmes protestës shprehet revolta dhe reagimi qytetar i qytetarëve dhe rinisë së Tiranës ndaj dhunës dhe arrestimeve të fundit të shqiptarëve në Maqedoni dhe Luginën e Preshevës”, është shprehur një prej organizatorëve. Protesta është zhvilluar e qetë dhe është vëzhguar në distancë nga forcat e policisë.  Një përfaqësi e lëvizjes “Shqipëria e Re” më pas do të drejtohet tek Prokuroria e Përgjithshme  dhe te Selia e Delegacionit të Këshillit të Europës për të përcjellë akuzat kundër Ministres së Brendshme të Maqedonisë, Jankullovska dhe Ministrit të Brendshëm serb Daçiç. 7 maj 2012 (gazeta-Shqip.com)

SHPËRNDAJE