Gjykata në Hagë ka kundërshtuar apelin e ish-liderit të serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiq, kundër dënimit të tij për gjenocid dhe krime të luftës në Bosnje dhe Hercegovinë në vitet 1990 dhe ka zgjatur dënimin e tij 40-vjeçar me burgim të përjetshëm.

Karaxhiq është dënuar më 2016 me 40 vjet burgim, duke u shpallur fajtor për gjenocid në masakrën e Srebrenicës më 1995.

Në këtë vend janë vrarë më shumë se 8,000 burra dhe djem myslimanë nga forcat serbe të Bonjës, për të shënuar mizorinë më keqe në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore.

Karaxhiq, 73-vjeçar, ish-poet dhe psikiatër, ishte shpallur fajtor edhe për orkestrim të rrethimit të Sarajevës, që ka rezultuar me gati 10,000 persona të vdekur.

Më shumë se 100,000 persona janë vrarë dhe rreth 2.2 milionë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre gjatë Luftës në Bosnjë në periudhën 1992-95.

Krimineli i luftës që shkruante poezi

Thuajse saktësisht tri vjet më parë gjykatësit e Tribunalit të Hagës për Krime lufte e dënuan serbin nga Bosnja, Radovan Karaxhiç me 40 vjet burg. Të mërkurën (20.03) Tribunali jep verdiktin përfundimtar pas apelimit.

Një burrë me shumë anë: psikiatër, poet dhe në vitet 1990 politikan i fuqishëm. Për shumë në Bosnjë-Hercegovinë ai është thjesht kriminel lufte – një rast për psikiatri. Radovan Karaxhiçin e bëjnë përgjegjës për krimet më të tmerrshme të luftës, që u kryen në Bosnjë-Hercegovinë në luftën gati katërvjeçare (1992-1996). Karaxhiçi, ndërkohë 73 vjeç, sipas akuzës mban si ish-udhëheqës i serbëve në Bosnjë-Hercegovinë përgjegjësi për gjenocidin ndaj 8000 burrave dhe djemve myslimanë në qytetin e Bosnjës Lindore Srebrenicë. Veç kësaj atë e akuzojnë për krime kundër njerëzimit. Konkretisht: dëbim, vrasje me paramendim dhe tortura. Bëhet fjalë edhe për shkeljen e së drejtës së luftës në rastin e rrethimit të Sarajevës.

Radovan Karaxhiçi lindi në një fshat malazez në vitin 1945. Prej moshës 15 vjeçare ai jetoi në qytetin multikulturor atëherë të Sarajevës në Bosnjë-Hercegovinë. Por ai vjen nga një familje, e cila kishte në radhët e saj edhe çetnikë. Çetnikët janë ekstremistë nacionalistë serbë, të cilët angazhohen për Serbinë e madhe dhe që në Luftën e Dytë Botërore u mundën nga partizanët e Titos.

“Mendja luftarake e serbëve”

Pasi u shpërngul nga malet malazeze në Sarajevën e gjallë, ku përfundoi shkollën, ai studioi mjekësi. Për kualifikim të tjera ai madje kaloi një vit në Columbia State University në New York dhe hapi pas kësaj një klinikë private psikoterapie në Pale, në afërsi të Sarajevës. Emri i tij njihej që më parë si poet. Por “se si nga ky personalitet, i cili kishte kaq shumë anë, u bë më vonë një politikan, i cili mbronte pa dyshim një drejtim nacionalist, ky është një fenomen”, shprehet eksperti për Ballkanin, Franz-Lothar Altmann.

SHPËRNDAJE