Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) thotë se ende nuk ka marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, nuk sheh fare as pretendimin për marrëveshje. Madje u detyrua edhe kryeministri që të deklarohet se ato nuk janë marrëveshje, por konkluza, tha mbrëmë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

“Kjo do të thotë se janë disa çështje që kanë rezultuar nga bisedimet, të cilat ne nuk i kemi shumë të qarta”, theksoi Mustafa, i lutur nga gazetarët që të komentojë lidhur me këtë çështje.

“Nëse ne sillemi ashtu dhe i pranojmë si të tilla, atëherë ne fillojmë të heqim dorë nga shtetësia, të heqim dorë nga integriteti ynë dhe fillojmë të relativizojmë sistemin kushtetues të vendit”, nënvizoi Mustafa.

Prandaj, shtoi ai, LDK nuk do të pajtohet që të zhvillohet praktika e qarkullimit me letërnjoftime brenda dy shteteve për arsye se qarkullimi me letërnjoftim bëhet brenda një shteti. Nëse bëhet një marrëveshje ndërshtetërore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ajo duhet të ratifikohet përmes kuvendit, pastaj rezultatet e asaj marrëveshjeje, të cilat realizohen janë teknike. Mustafa shprehu mospajtim edhe për ndryshimin e tabelave të makinave me emblema të RKS, për arsye se ajo do të thotë që “ne punojmë në shtetin sipas kushteve që na i paraqet një shtet fqinjë”.

“Për ne këto nuk janë marrëveshje sepse nuk i ka ratifikuar organi kushtetues i Kosovës”, theksoi Mustafa. Prandaj ai tha se LDK ka kërkuar që së bashku me partitë e tjera opozitare, Vetëvendosje e AAK, që të mbahet një mbledhje e Kuvendit në të cilën do të diskutohen dhe do të paraqiten qëndrimet e qarta lidhur me këtë çështje.

SHPËRNDAJE