Prishtinë, 31 janar 2011

Vetëm një ditë pas publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale të 12 dhjetorit nga Komisioni Qendror Zgjedhor, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa, ka ritheksuar edhe një herë qëndrimin e tij, se nuk do të hyjë në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës, por në Parlamentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës do të jetë si opozitë. Ai ka thënë se LDK-ja, nuk ka marr ndonjë ftesë nga ana e PDK-së, për koalicion, por nëse iu dërgohet ata do t’i përgjigjen. “Nuk do të bëjmë koalicion, ne jemi pozicionuar si LDK, se ku do të jemi, ne do të jemi në opozitë në Parlamentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës. Ndërkaq, ne presim që të bëhet certifikimi i rezultateve dhe përfundimisht të kemi marr rezultatet paraprake. Ftesë nuk kemi marr nga PDK-ja, natyrisht se LDK-ja do t’i përgjigjet çdo ftese të cilën e merr por kjo s’do të thotë assesi se ne do të hyjmë ne negociata për koalicion me PDK-në”, theksoi Mustafa.

“Prioriteti i jonë do të jetë që qeverisja të jetë e mirë në tërë Kosovën në mënyrë që Kosova të zhvillohet në pikëpamje ekonomike në mënyrë që t’i tejkalojmë problemet, sepse qeverisja është një vazhdimësi, të cilën ne nuk mund ta ndajmë, por është e domosdoshme që të sigurohet një qeverisje e mirë sepse ne do ta japin vlerësimin edhe për këto zgjedhje. Nuk jam që ta jap sot mendimin përfundimtar, sepse po presim edhe certifikimin e zgjedhjeve”, theksoi Mustafa, duke shtuar se LDK-ja, do të angazhohet më çdo kusht që qeverisja të bëhet në bazë të votës legjitime dhe vota legjitime, sipas tij, është vetëm vota e qytetarit/ B.S

SHPËRNDAJE