Kreu i Lëvizjes për Bashkim, Valon Murati, i cili njihet edhe për qëndrimin e tij të hapur dhe publik në favor të idesë së korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se në vitin 2010 kur e kanë lansuar një ide të tillë, shumica e politikanëve, përfshirë edhe kryeministrin aktual, Albin Kurtin, nuk kanë qenë kundër një ideje të tillë.

“Një pjesë e madhe e politikanëve, ndoshta përveç z.Haradinaj. Prej kur e kemi shtru ne në vitin 2010, shumica e tyre përfshi kryeministrin aktual nuk kanë qenë kundër idesë”, ka thënë Murati në DPT.

Ai ka thënë se një ide e tillë sëfundi është kundërshtuar për qëllime të përfitimeve politike, meqë Hashim Thaçi si president ishte në favor të idesë së ndryshimit të kufijve. Murati tutje ka kritikuar ish-presidentin Thaçi duke thënë se nuk ishte pozicionuar si duhet për idenë, derisa shton se më pas u vështirsuan punët meqë thuhej se përmes një ideje të tillë “po ndahej Kosova”. Kreu i LB-së ka thënë se s’bëhej fjalë për ndarje, meqë ndarja kishte vdekur në vitin 1999 me çlirimin e Kosovës dhe se tashmë mund të flitet për ripërcaktim kufijsh me qëllim të zgjidhjes së problemeve mes dy shteteve.

Murati teksa ka folur për një marrëveshje finale në mes të Kosovës dhe Serbisë, ka thënë se është i bindur që një e tillë nuk do të jetë e mundur pa i ripërcaktuar kufijtë. Gjithashtu, ai shton se ideja e prekjes së kufijve do të rikthehet si opsion serioz në tavolinë përmes dështimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Në radhë të parë, nuk mendoj që opsionet mund të hiqen aq lehtë nga tavolina. Një herë për një herë kjo çështje nuk diskutohet. Rikthimi si opsion serioz i ripërcaktimit të kufijve do të shkojë përmes dështimit të Asociacionit dhe opsioneve tjera, qoft përmes refuzimit, të qeverisë apo të skenës sonë politikë, qoft përmes pranimit dhe përpjekjes për ta implementu, sepse për mua Asociacioni do të jetë edhe shtirë i implementueshëm. Po ashtu kam dyshime që Serbia do ta njeh ndonjëherë Kosovën. Kështu që krejt kjo situatë do ta rikthejë ripercaktimin e kufijve si e vetmja zgjidhje. E mira është që ne ta kthejmë dhe jo që ajo të vijë si pasojë e defunksionalitetit tonë. O duhet ta kthejmë ne si opsioni më i mirë, sepse fitojmë shumë duke e marrë pjesën e Kosovës lindore, po ashtu duke e zgjidhur e funksionalizu shtetin tonë. Në anën tjetër nëse s’vjen si produkt i politikës tonë, do të vijë si produkt i nevojës për t’u funksionalizu në një moment kur opsionet tjera na dëmtojnë shumë. Por unë frikësohem që kur të na vjen në fund si opsion i zorit, do të dalim shumë më të humbur, sesa që kishim fitu tash. Nuk shoh mundësi tjetër për zgjidhjen e problemeve. Nuk shoh zgjidhje përfundimtare Kosovë-Serbi përveç ripërcaktimit të kufijve”, ka thënë Murati në DPT të T7.

SHPËRNDAJE