Trajneri i Realit të Madridit, Jose Mourinho, u shndërrua në një prej protagonistëve të konferencave për shtyp më të veçanta të historisë, ndërsa qëndroi për më shumë se një orë pa hapur gojë përballë pyetjeve të gazetarëve, në prag të klasikes me Barcelonën.

Ishte ndihmësi i tij, Aitor Karanka, ai që morri fjalën përpara shtypit dhe shpjegoi përse portugezi kishte vendosur të zgjidhte këtë sjellje. “Sa herë që Mourinho flet, gjithçka nxirret nga konteksti e zmadhohet.

Në fakt, nuk jemi ne ata që kemi dalë së fundmi nga konteksti (i referohet Barcelonës). Të paktën, kështu nuk do të thonë që Mourinho nxehu ndeshjen. Ai ka vendosur të qëndrojë në heshtje për të shmangur çdo keqkuptim”.

Shtypi, dukshëm i irrituar nga vendimi i portugezit, u përpoq të transmetonte mesazhin se heshtja e tij mund të interpretohej si një mungesë respekti nga ana e tifozerisë madrilene.

”Mendimin e madrilenëve e kuptojmë çdo ndeshje në “Bernabeu” dhe në rrugë. Ajo për të cilën ata shqetësohen është që të kenë një trajner në lartësinë e duhur, që të udhëheqë një ekip në gjendje që të luftojë për tituj deri pranë fundit të sezonit”, tha prerazi Karanka.

Të zhgënjyer, gazetarët u larguan përpara kohe, ndërsa Mourinho ishte njeriu i fundit që u largua nga salla.

SHPËRNDAJE