08 Mars, 2019    Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, ditë më parë ka ndarë mirënjohje për organizatorët e referendumit të vitit 1992 në Luginën e Preshevës.

Në këtë referendum, që Serbia e konsideron jolegjitim, banorët e atjeshëm ishin përgjigjur me një shumicë dërrmuese se duan autonomi politike e territoriale me të drejtë bashkimit me Kosovën.

Mirëpo, kjo ndarje e mirënjohjeve nga ana e Ragmi Mustafës, 27 vjet pas këtij referendumi, ka ngjallur reagimin e zyrtarëve serbë, të cilët kanë thënë se ky veprim nuk ka asnjë lidhje me qëllimet e Këshillit Kombëtar të shqiptarëve.                                         Në anën tjetër, kreu i këtij Këshilli, Ragmi Mustafa, pohon se kjo është vetëm një mirënjohje për njerëzit që sollën demokracinë në komunitetin shqiptar dhe se ai kundërshton pretendimet se ky është një veprim i politik.

“Këshilli Kombëtar Shqiptar ka ndarë mirënjohje për organizatorët e referendumit të vitit 1992 pasi kjo është trashëgimia jonë politike, kulturore dhe e identitetit”, thotë Ragmi Mustafa, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës.

“Mendojnë se atëherë në Jugosllavi, kur u bë braktisja e sistemit monist,dhe kur organizimi i shoqërive pluraliste ka qenë shumë i vështirë, njerëzit kanë punuar në atë drejtim që të sjellin demokraci në komunitetin shqiptar, dhe kështu krijuan orientimin politik të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Këshilli Kombëtar Shqiptar ka dashur vetëm të njohë punën e tyre dhe angazhimin, si dhe të shprehë respekt për trashëgiminë tonë”, shton ai.

Mirënjohje për organizimin e këtij referendumi kanë marrë, kryetari shumëvjeçar i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, si dhe anëtarët e Partisë Demokratike Shqiptare, Ali Ahmeti, Ibrahim Kadriu dhe Shaip Duraku. Në anën tjetër, zyrtarë të lartë të Serbisë thonë se ky ka qenë një referendum që Serbia e njeh si jolegjitim dhe se i njëjti nuk është pranuar as nga bashkësia ndërkombëtare. Kjo ndarje e mirënjohjeve, sipas tyre, nuk përfshihet në qëllimet e Këshillit Kombëtar të pakicës kombëtare shqiptare në Serbi.

“Siç e dini, ky referendum nuk është pranuar nga bashkësia ndërkombëtare, dhe disa njerëz që i kanë marrë mirënjohjet, në atë kohë i kanë pasur nga dymbëdhjetë vjet, prandaj është i panevojshëm çfarëdo komenti lidhur me joseriozitetin dhe papërgjegjësinë e atyre që e bënë këtë”, thotë kryetari i trupit koordinues për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, Zoran Stankoviq.

Ai thotë se i bën thirrje edhe njëherë Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve t’i zgjidhin çështjet brenda juridiksionit të tyre, pasi kjo që ata kanë bërë, nuk përkon me atë juridiksion. Sipas Stankoviqit, para së gjithash ata duhet të japin propozime konstruktive për të zgjidhur çështjen e teksteve shkollore në gjuhën shqipe.

“Propozimet për çështjen e teksteve shkollore të bëhen në përputhje me ligjet e Serbisë, pasi ne ka vite që po i presim”, deklaron Stankoviq. Ndaj këtij veprimi të Këshillit që e udhëheq Ragmi Mustafa, ka reaguar edhe ministri për Administratë Shtetërore dhe Pushtet Lokal në Qeverinë e Serbisë, Branko Ruzhiq.

Ai i ka thënë gazetës “Veçernje Novosti” se ky është akti më flagrant i tejkalimit të juridiksionit të Këshillit Kombëtar Shqiptar dhe se ky veprim është në kundërshtim me interesat e qytetarëve. “Kjo ishte përpjekje për të tërhequr vëmendjen e mediave për diçka që absolutisht nuk ka ndonjë lidhje me qëllimin e Këshillit”, ka thënë Ruzhiq.

I pyetur nëse dhënia e këtyre mirënjohjeve mund të shihet si veprim politik duke pasur parasysh faktin se kjo ndodh gati tre dekada pas referendumit, dhe saktësisht në kohën kur po dalin opsione për ndryshimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë apo shkëmbimin e territoreve mes dy vendeve, Ragmi Mustafa thotë se ndarja e mirënjohjeve nuk ka të bëjë me ndonjë politizim. “Për përcaktimin e kufirit flet edhe ministri i Punëve të Jashtme, (Ivica Daçiq) si dhe presidenti (Aleksandar Vuçiq). Mendoj se kjo nuk ka asnjë lidhje me këtë kontekst. Ne kemi dashur të respektojmë trashëgiminë tonë kulturore, politike dhe shoqërore”, thotë Mustafa. / PreshevaJone

SHPËRNDAJE