Drejtuesit e Milan kanë pranuar se janë të shqetësuar lidhur me të ardhmen financiare të klubit, pasi që pronari i ekipit Silvio Berluskoni është dënuar me 560 milionë euro.

Kompania e Berluskonit “Fininvest” duhet t’i paguajë dëmshpërblim firmës “Compagnie Industriale Riuniteafter”, për shkak të mënyrës ilegale së marrjes së shtëpisë botuese “Mandadori”, në pronësi të “CIR”-it, që ishte moment kyç për krijimin e “perandorisë” mediale të Berluskonit.

Nënpresidenti i Milan, Adriano Galiani, ka pranuar se dënimi do të ndikojë në buxhetin e ekipit, veçanërisht në pjesën e dedikuar për transferime.

“Kjo është diçka që i ka goditur fuqishëm pronarët e Milan, pasi që klubi është në pronësi të Fininvest. Berluskoni nesër do të ketë takim me ekipin në Milanela. Mendoj se është koha e duhur për bisedë”, ka thënë Galiani.

Ndryshe, Berluskoni shpëtoi ekipin nga bankrotimi në vitin 1986 dhe i solli mjaft suksese.

Afati kalimtar veror është duke rrjedhë, ndërsa ditëve të fundit është spekuluar shumë për transferimin e yllit të Napolit, Marek Hamshik në radhët e “rosonerëve”.

“Ekipi i Milan është i kompletuar dhe konkurrues. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, po ekipi është në rregull”, ka thënë nënpresidenti i kampionit aktual të Italisë, i cili vitin e kaluar fiskal e përmbylli me 60 milionë euro deficit.

SHPËRNDAJE