TIRANË, 3 Mars/ATSH/- Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini tha të premten në Tiranë se zbatimi i ligjit të vetting-ut mbetet kushti kyç për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

Vizita në Tiranë e zyrtares së lartë të Brukselit, në kuadër të turit ballkanik te nisur më 1 mars, u zhvillua në një klimë të ndezur politike, ku opozita e djathtë prej dy javësh po proteston para selisë së qeverisë me kërkesën për formimin e një qeverie teknike, që do të garantonte zgjedhje të lira e të ndershme. Protestën e saj opozita po e shoqëron me bojkotimin e parlamentit, duke u bërë kështu një pengesë serioze për ngritjen e organeve që do të realizojnë procesin e vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë.

Në mesazhin e përcjellë gjatë takimit me studentë të Universitetit të Tiranës, por edhe në deklaratën për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Mogherini paralajmëroi të gjithë faktorët që do të pengojnë zbatimin e vetting-ut, se do të jenë përgjegjës për mbajtjen e Shqipërisë jashtë Europës.

“Shqipëria ka arritur shumë prej një viti, veçanërisht me miratimin e reformës në drejtësi dhe rëndësia e saj është njohur nga BE-ja për të rekomanduar çeljen e negociatave, por veçanërisht zbatimin e vetting-ut. Ne jemi gati që të vazhdojmë të jemi të besueshëm dhe të çelim negociatat në mënyrë që Vettingu të zbatohet. Tani e keni radhën ju dhe ne jemi të gatshëm të shohim zbatimin e kësaj reforme”, deklaroi Përfaqësuesja e BE-së për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë.

Në mesazhin përcjellë opozitës dhe bojkotimin prej saj të Kuvendit, Mogherini kujtoi se “betejat politike zhvillohen brenda parlamentit, i cili është dhe zemra e demokracisë”.
Udhëheqësit politikë, tha ajo në takimin me studentët, kanë përgjegjësi sa i përket veprimit brenda institucioneve. Lufta politike mund të jetë e fortë, por ashtu si dhe në një lojë futbolli, ndeshja bëhet brenda fushës dhe jo jashtë saj, theksoi zyrtarja europiane.
Bojkoti i Parlamentit do të thotë bllokimi i komisionit të Vettingut dhe kjo ndal progresin dhe kjo në një moment kyç kur vendi ka nevojë që të ecë përpara. Sot ka pasur sinjale për dialog brenda Parlamentit dhe shpresoj të përdoret kjo hapësirë. Negociatat mund të fillojnë në momentin që reforma në drejtësi të nisë zbatimin e saj, u shpreh ajo.

Vizitën në Tiranë znj. Mogherini e nisi me takimin me Presidentin Bujar Nishani. Ky i fundit vuri në dukje se reforma në drejtësi duhet të ecë vetëm mbi baza kushtetuese dhe ligjore, si dhe të shmanget politizimi i procesit. Kreu i Shtetit shtoi se reforma në drejtësi është e lidhur ngushtë edhe me reforma të tjera si ajo zgjedhore dhe dekriminalizim të institucioneve dhe administratës publike, pasi të tria këto dimensione lidhen me perspektivën e Shqipërisë dhe të qytetarëve shqiptarë.

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, gjate takimit me Përfaqësuesen e Lartë te BE-se theksoi rëndësinë e avancimit pa vonesa te reformimit të sistemit të drejtësisë në frymën e bashkëpunimit politik e institucional dhe në respekt të plotë të Kushtetutës së miratuar me konsensus. “Një reformë e bazuar në kushtetutë, tha ai, e rrit besueshmërinë e procesit dhe e përshpejton zbatimin më cilësor të saj”.

Pas takimit me znj. Mogherini kreu i PD-se Lulzim Basha, deklaroi se e kishte informuar zyrtaren e lartë me rrugëzgjidhjen e propozuar nga opozita, ndërsa ripërsëriti se pa qeveri teknike që garanton zgjedhje të lira e të ndershme, nuk ka kthim në Parlament.

Takimi me homologun Ditmir Bushati u fokusua tek situata ne rajon, thellimi i bashkëpunimit ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, rëndësia e stabilitetit demokratik dhe perspektiva europiane, ku Shqipëria dhe shqiptarët luajnë një rol të rëndësishëm në këtë drejtim. Ministri Bushati nënvizoi angazhimin e Shqipërisë për të vijuar kontributin e saj për një rajon të kyçur në rrjedhat euro-atlantike. /a.s/ /a.g/

SHPËRNDAJE