Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka pritur sot në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me të cilin, përtej temave të karakterit nacional, kanë diskutuar rreth intensifikimit të bashkëpunimit mes komunave të brezit kufitar që kryeqendër e kanë kryeqytetin tonë kulturor e historik, Prizrenin.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi tha se me ambasadorim Minxhozi e vlerësuan si tepër të rëndësishme bashkëpunimin ndërmjet komunave të Kosovës dhe Shqipërisë, në funksion të zhvillimit ekonomik lokal, zhvillimit të veprimtarive rekreative, si dhe rritjes së efikasitetit të shërbimeve të ofruara ndaj qytetarëve që udhëtojnë nga njëri vend në tjetrin.
“Një bashkëpunim i tillë është mundësi e mirë për hapje të perspektivës dhe promovim të zonave turistike, siç i ka Prizreni, apo Valbona në anën tjetër të kufirit. Ambasadorin Minxhozi e falënderova për punën e tij të palodhshme si avokues i rritjes së bashkëpunimit Kosovë – Shqipëri dhe gardian i promovimit të këtyre raporteve. Partia Demokratike e Kosovës angazhohet përherë në forcimin e marrëdhënieve tona vëllazërore me Shqipërinë.”, shkruan Krasniqi.