tevvww11Besarta Iseni nga Vitia, Tevide Maliqi nga Presheva dhe  Blerta Suka nga Theranda, nxënëse të dalluara të gjimnazit “Sisimondi” të Gjenevës, të ndihmuara nga profesori i tyre i historisë, Claudio Recupero, ka kohë që kanë bërë një projekt-plan, nëpërmjet të cilit synohet realizimi i mjeteve të nevojshme për rinovimin e ndonjërës  prej shkollave të dëmtuara në Kosovë.

Në mënyrë që kjo nismë  të jetë serioze dhe e frytshme, zoti Recupero, me përvojë të gjatë në mësimdhënie dhe njohës i mirë i ngjarjeve dhe zhvillimeve në vendet e Evropës Juglindore, ka udhëzuar këto tri vajza të vyeshme dhe entuziaste që fillimisht  të nisin hulumtimet në gjetjen e një objekti të dëmtuar shkollor në viset periferike  apo të skajshme të Kosovës , ku me kontributin e tyre të drejtpërdrejtë do të evitojnë shpërnguljen e banorëve drejt qendrave urbane të stërngarkuara me popullatë.

 

teviddd111

Vajzat parashikuese të këtij organizimi, pas konsultave me profesorin Recupero, kanë filluar punën, duke bërë kontakte të drejtpërdrejta me nxënës dhe qytetarë të komunave të ndryshme të Kosovës, dhe në fund, duke shqyrtuar rezultatet e anketës kanë rënë në ujdi që dora e ndihmës t’u shtrihet  nxënësve të shkollës fillore “Ndre Mjeda” të fshatit  Debeldeh të komunës së Vitisë, i cili fshat si pasojë e migrimeve dhe lëvizjeve të imponuara të popullatës ka mbetur pasiv dhe i paperspektivë.

Me kusht që të shmangen ndikimet dhe tendencat për fitim poenësh nga individë apo grupe të ndryshme politike, këto vajza punëtore dhe studiuese të zellshme kanë punuar krejtësisht të pavarura një punim shkencor mbi gjenezën e fshatit Debeldeh,duke shqyrtuar në hollësi të gjitha periudhat nëpër të cilat ka kaluar fshati.

Nga korrespondencat me fshatarët e atjeshëm tri vajzat, bashkautore të këtij seminari, që në një të ardhme mund të jetë edhe punim diplome i tyre, kanë mësuar që në periudhën e paraluftës së fundit në Kosovë,fshati ka pasur 70 shtëpi  kurse sot për arsye të shumë faktorëve ende të pasqaruar në fshat kanë ngelur vetëm 25 familje.

Sipas gjetjeve në terren dhe kontakteve me ata që edhe sot vazhdojnë jetën në këto vise passive, del se pjesa dërrmuese e bashkëfshatarëve e kanë lëshuar Debelden për arsye të humbjes së pronave të tyre. Caktimi i vijës kufitare me Maqedoninë i ka lënë pa prona dhjetëra familje të këtij fshati.

Adem Syla, i mërguar në Gjenevë në fillim të viteve të 90-ta, i impresionuar nga puna e këtyre vajzave, thotë:

”Meqë kam origjinë nga Debeldeja, jam i habitur s’e sa bukur dhe në mënyrë shkencore e kanë nxjerrë të vërtetën mbi gjendjen në fshat këto vajza”.
tevtematurantetPër të mbeturit në këtë zonë malore problem akut paraqet objekti i shkollës, i cili është në gjendje të mjerueshme. Të prekura nga gjendja aspak e mirë e objekteve të shkollës së këtij fshati,  Besartë Iseni,Tevide Maliqi dhe Blerta Suka, kanë nisur konkretizimin e projektit të tyre.

Ato mbrëmë në sallën e koncerteve “Palladium” të Gjenevës kanë organizuar një mbrëmje muzikore me artistin dhe këngëtarin tonë të njohur Sabri Fejzullahu dhe me këngëtaren e re e mjaft të talentuar, Elsa Fazliu.

Me praninë e tyre programin e kanë begatuar edhe Ansamblet e Këngëve dhe Valleve “Gëzuar” dhe ai ”Rinia Concact” të Gjenevës, si dhe grupi i të rinjve “James Bosko” që ka kënaqur adhuruesit e zhanrit rep.

Mjetet e grumbulluara nga ky koncert dhe ato nga banaku i pijetores brenda javës nëpërmjet krijimit të një llogarie të veçantë bankare do të përfundojnë në arkën e shkollës së këtij fshati.

Me këtë gjest humanitar këto vajza zemërgjera dhe plot dashuri për trojet e të parëve të tyre do t’ua mundësojnë vazhdimin e jetës në këtë fshat kufitar me Maqedoninë, prindërve dhe fëmijëve, të cilët në mungesë të shkollës s’shihnin alternativë tjetër përveçse braktisjes së këtij fshati të bukur e piktoresk./ARIF EJUPI (nga Albinfo.ch)tevgenenne

SHPËRNDAJE