Një luftë interesante rreth asaj se kush ka faj për krizën financiare dhe kush po e pengon zgjidhjen e saj, po zhvillohet këto ditë në mes të revistës së njohur britanike “The Economist” dhe asaj gjermane “Handelsblatt”. Edhe pse në parim mund të thuhet se fjala është për një “përplasje” mes dy revistave, në fakt – kur është fjala te kriza – ky është konflikti mes mentalitetit të caktuar gjerman dhe mentalitetit “të gjithë të tjerëve”.
“The Economist” në ballinën e saj ka vendosur një ilustrim të tankerit që po fundoset e që mbanë mbishkrimin “Ekonomia botërore”, derisa ekuipazhi i bërtet: “A mund t’i ndezim tash motorët, zonja Merkel”? Kështu revista aludon në hezitimin e Gjermanisë për të braktisur politikën e kursimit, duke e vënë theksin në rritjen ekonomike. Pra, fjala është te ngurrimi i Gjermanisë për të krijuar një mekanizëm të përhershëm të transferimit të parave në vendet e trazuara, në bazë të të cilave edhe periferia evropiane do të ishte më konkurrente.

Gjermanët, nga ana tjetër, duket se janë lodhur duke i cilësuar si “prishës të ahengjeve” të cilët nuk duan ta hapin qesen për nxitur rimëkëmbjen globale. Problemi, sipas tyre, nuk është në Gjermani, por te të gjithë të tjerët. Prandaj, “Handelsblatt” e ka bërë një parodi me ballinën e revistës britanike, me të njëjtin tanker të ekonomisë botërore që po fundoset, duke u tërhequr nga peshat me flamujt e Spanjës, Italisë, Francës, Greqisë dhe SHBA-ve. Në të njëjtën kohë një anije gjermane lundron në sipërfaqe, me ç’rast ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schäuble, nga kuverta pyet kancelaren Merkel se “ku kanë mbetur miqtë e saj”. “Janë shumë të mëdhenj për të notuar”, përgjigjet ajo. Pra, me këtë aludohet në borxhet e mëdha të këtyre shteteve.

Gazeta gjermane thotë se kopje e tyre më mirë e paraqet realitetin sesa origjinali britanik.

“Ndonjëherë artistët jetojnë me kokë në hava. Falsifikuesit në anën tjetër jetojnë me të dy këmbët në tokë”, thuhet nën ilustrim.

Por, beteja nuk ka mbaruar ende, sepse “The Economist” e ndjeu nevojën për të komentuar trajtimin që gjermanët ia bënë ilustrimit e tyre. Kështu, vërejtën disa gjëra pa logjikë!

“Këtu ne e shohim Gjermaninë, e cila varet nga eksporti, krejtësisht e ndarë nga ekonomia botërore (ndoshta po lëshon mina nënujore?). Do të thosha se ‘shumë i madh’ ka të bëjë me nivelin e borxhit, por borxhi i jashtëm i Gjermanisë është më i madh se i Spanjës. Unë nuk e di çka bënë SHBA këtu: Amerika është rritur më shumë se Gjermania vitin e kaluar (kanë fat gjermanët që nuk janë eksportuesit kryesorë në ekonominë amerikane)”, komentoi “The Economist” versionin e fundit të revistës “Handelsblatt”.

“Kjo na jep një pasqyrë për mentalitetin gjerman: çfarëdo problemi që ka ekonomia botërore, kjo nuk ka të bëjë me Gjermaninë. Qëllimi është ky dhe këtë synon ta paraqes edhe ballina jonë. Qeveria gjermane, më shumë se cilado tjetër, ka mundësi të drejtojë ekonominë e eurozonës, e si pasojë edhe ekonominë botërore, pra largimin e tyre nga katastrofa. Ilustrimi i ‘Handelsblatt’ tregon se gjermanët ende nuk e kuptojnë këtë”, përfundon artikullin “The Economist”.

Ende nuk dihet se cila do të jetë këtë herë kundërpërgjigja gjermane ndaj këtij reagimi.

SHPËRNDAJE