Briken Çalja dhe Daniel Godelli nuk kanë arritur të japin rezultate domethënëse në pjesëmarrjen e tyre në garën e peshëngritjes 69 kilogram për meshkuj në Londër 2012, ku i pari është renditur i 9-ti, ndërsa i dyti nuk është kualifikuar pasi në shkëputje nuk ka realizuar asnjë nga tre provat.

Në stilin e shkëputjes, Çalja ka arritur të realizojë tentativën e parë prej 143 kilogram, ndërsa më pas ka gabuar në dy provat e tjera prej 146 kilogram.

Si rrjedhojë, ai e ka mbyllur këtë stil në vendin e 11-të, duke mos arritur të paraqitej në një nivel të lartë siç shpresonte. Më keq ka bërë Godelli, i cili nuk ka arritur të realizonte asnjë prej tre provave të tij me peshat 142 dhe 145 kilogram, duke mbyllur para kohe garën.

Në stilin e shtytjes, Çalja është tregua më i saktë, duke vendosur në shtangë fillimisht 173 kilogram, pastaj 174 kilogram e në fund 177 kilogram, duke i realizuar me saktësi të tre provat dhe duke arritur objektivin për të përmirësuar rezultatin personal në këtë stil. Ai e ka mbyllur stilin e shtytjes në vendin e 7-të, ndërsa në total ka realizuar 320 kilogram, që i dhanë atij vendin e 9-të në Olimpiadë. F.H

SHPËRNDAJE