Trajneri i njohur italian, Marçelo Lipi, i cili e fitoi titullin e kampionit të botës me “axurrët” në vitin 2006 në Gjermani, beson se skuadra e Prandellit zotëron kualitetet e nevojshme që të kurorëzohet me titullin e kampionit të Evropës për herë të dytë në histori.
Italia në çerekfinale do të ballafaqohen me Anglinë, pasi garat në Grupin C i mbyllën në pozitën e dytë. Edhe pse italianët barazuan në dy ndeshjet e para, kundër Spanjës dhe Kroacisë, në fund me golat e Antonio Kasanos dhe Mario Balotellit në sfidën kundër Irlandës, arritën të marrin ‘vizën’ për në fazën e eliminimit direkt. “Pas kalimit në çerekfinale tashmë çdo gjë është e mundshme. Golat e Kasanos dhe Balotellit na zhbllokuan”, ka theksuar Lipi. Ai është shprehur i befasuar me eliminimin e Rusisë në fazën e grupeve, derisa për Gjermaninë dhe Spanjën mendon se janë favoritet kryesore për të triumfuar në Evropianin që po zhvillohet në Poloni e Ukrainë. “Për mendimin tim, Gjermania është skuadra më e fortë, por Portugalia mund ta befasojë. Ndërkohë ta shikosh Spanjën duke luajtur është më të vërtetë kënaqësi. Eliminimi i Rusisë në Grupin A më ka befasuar tepër”, ka nënvizuar Lipi. Pikërisht rusët në ndeshjen e fundit përgatitore para fillimit të Evropianit kishin mposhtur Italinë, me rezultat bindës 3:0, por dështuan ta kalojnë fazën e parë në një grup që vlerësohej i lehtë, pasi përbëhej nga Çekia, Greqia dhe Polonia.

SHPËRNDAJE