Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka qenë i ftuar në institutin austriak Karl-Renner në Vjenë ku ka folur për idenë e bashkimit me Shqipërinë, njohjen e mundshme të Kosovës nga Spanja si dhe Marrëveshjen e Washingtonit dhe administratën e re në ShBA,
Kryeministri Kurti ka thënë se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk është menduar si pavarësi nga Shqipëria, por si çlirim nga Serbia.
Shefi i ekzekutivit u pyet edhe për hapin që pritet ta ndërmarrë Spanja sa i përket hapjes së Zyrës Tregtare dhe Kulturore në Prishtinë, hap të cilin kryeministri Kurti e cilësoi si hap në drejtimin e duhur.
“Unë besoj që Spanja duhet të lëvizë në drejtimin e Sllovakisë dhe Greqisë të cilat e njohin pasaportën e Kosovës dhe me qeverinë progresiste unë jam optimist se këto shenja që i shohim nga Spanja janë në drejtimin e duhur dhe së shpejti mund të presim disa zhvillime pozitive”, tha ai.
Ai tutje foli edhe për Marrëveshjen e Washingtonit për të cilën tha se ka pasur elemente pozitive siç është njohja nga Izraeli.
“Sa i përket Marrëveshjes së Washingtonit, ka shumë elemente në atë marrëveshje nuk them që asnjë nga to s’është e mirë, përshembull njohja reciproke me Izraelin është pozitive, por përsëri më duhet të them se angazhimet bilaterale të Kosovës dhe Serbisë më 4 shtator të vitit të kaluar ishte më shumë lëvizje taktike e administratës Trump para zgjedhjeve atje. Ishte menduar që të ndërtohet diçka e qëndrueshme për një të ardhme afatgjatë. Unë e shoh në ato pikat e marrëveshjes një përpjekje për rregullim të shpejt që do të ndihmonte në imazhin ndërkombëtar dhe politikën vendore të ish-presidentit sesa ishte për të ndihmuar Kosovën dhe Serbinë për të lëvizur përpara”, tha Kurti.
Kurti tutje e cilësoi si situatë tjetër në ShBA tash që në krye të Shtëpisë së Bardhë është Joe Biden dhe u shpreh optimist sa i përket presidentit të ri.
“Sa i përket Shteteve të Bashkuara të Amerikës, unë mendoj se situata është ndryshe tani për të mirë natyrisht, presidenti Biden është ndoshta lideri për progresist në botë, nëse e sheh programin e tij është socialdemokrat dhe mendoj se kjo është ajo që na nevojitet, psh. Për ndryshimet klimatike, të drejtat e punëtorëve, të drejtat e grave, kështu që unë jam shumë më optimist tani sepse së pari ne e njohim se kush është presidenti Biden dhe së dyti për programin e tij”, tha shefi i qeverisë kosovare.
Ai përmendi poashtu edhe idenë e shkëmbimit të territoreve për të cilën tha se definitivisht ka dështuar por që nuk do të thotë se ka vdekur.
“Unë e kam refuzuar idenë për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë sepse ajo do të thoshte konflikte të reja dhe gjakderdhje. Qëllimi ka qenë ndarja e Kosovës e jo shkëmbimi. Unë mendoj se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë transformues për jetërat e popujve. Unë besoj se Republika e Kosovës duhet ta mbrojë veten si shtet dhe populli i Kosovës nuk do ta pranojë idenë e shkëmbimit të territoreve. Nuk po them që ideja e shkëmbimit të territoreve dhe ndarjes së Kosovës ka vdekur, por ideja që u bë projekt definitivisht ka dështuar”, tha Kurti.