By Xhafer Shatri

Ngërçit politik në Kosovë nuk po i shihet fundi. Acarimin e ka përthelluar sidomos etja deri edhe shtazarake për pushtet e Hashim Thaçit. Ky i ka vënë vetës si detyrë mbi detyrat; zgjedhjen me çdo kusht e me çdo çmim në postin e kryetarit të Kosovës. Dhe për t’ia arritur këtij qëllimi nuk po zgjedh mjete. Madje po shihet qart se është i vendosur edhe t’ia vërë flakën vendit për t’u ulur gjithsesi në atë kolltuk.

Nuk është hera e parë që po ia bën këtë të zezë Kosovës.
I

Portreti politik i Hashim Thaçit është kompleks e mbi të gjitha i errët. Janë të pakët ata shqiptarë që kanë guximin, por edhe njohuritë e sakta për rrethanat dhe faktorët që e nxorën atë në skenën politike të Kosovës.

Po ndalem shkarazi në dy faktorë themelorë :

a. Zvetnimi i Lëvizjes Kombëtare të Kosovës në fundvitet nëntëdhjetë, dominimi absolut i karaxhozve në institucionet kyçe të saj, në radhë të parë në qeverinë e kohës;

b. Që nga viti 1912, kur u ndanë trojet shqiptare, elitat politike në Shqipëri nuk kanë mundur ta imagjinojnë që në Lëvizjen Kombëtare të Kosovës të ketë prijës a personalitet që të mundë të dalë në çfarëdo formë jashtë kontrollit të Tiranës.

Në këtë vijë, nga kuadrot e sigurimit shqiptar që kontrollonin nga brenda Lëvizjen Kombëtare (ilegale) të Kosovës (LPK), iu propozua, tash, ShIK-ut shqiptar, Hashim Thaçi. Të tjerat dihen. Pra është fjala për një person që doli në skenë nga trampolina e një shërbimi sekret. Me kohën Hashim Thaçi, pa asnjë siklet, do të kalojë nga një trampolinë në tjetrën dhe falë tyre do të mbijetojë e do ta dominojë leht dhe gjat skenën e trazuar politike të Kosovës.

Por kjo është temë tjetër. Po ndalem te ajo që është themelore; te mendësia dhe praktikat politike të Hashim Thaçit dhe supotëve të tij, që mund të përmblidhen në një fjali të vetme: lufta për lirinë e Kosovës të kthehet, parasegjithash, në luftë për kolltuqe, për para e për pushtet.

Janë shumë, por po i përmend vetëm faktet kryesore.

Në kohën kur Kosova po përcëllohej në flakët e luftës dhe populli i saj po rrezikohej seriozisht me asgjësim, Hashim Thaçi gjente kohë për qërim hesapesh me ata që mendonin ndryshe.

Më 11 qërshor 1998, Behajdin Allaqi, kuadër i lartë i LPK-së, i burgosur politik dhe intelektual i njohur, bashkë me disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, ishte larguar nga shtabi lokal i Drenocit. Po të njëjtit anëtarë të ‘Shtabit të Përgjithshëm‘ e kanë arrestuar dhe e kanë mbajtur në burgun e Kleçkës. Pesë muaj më vonë, më një nëntor 1998, përmes komunikatës nr. 61, i njëjti shtab, e informoi opinionin se Allaçi dhe një 20 të tjerë ‘ishin vrarë në përpjekje me armikun… ‘

Në fakt atë e kishin vrarë mizorisht ata që ai i konsideronte shokë e bashkëluftëtarë; e kishin vrarë për të vetmin faj se i kundërvihej konceptit sektar e ideologjik të luftës. Burime të besueshme pohojnë se në vrasjen e tij kishte drejtpërdrejt dorë Hashim Thaçi.

Pas Luftës, vrasësit e tij, Behajdin Allaçin e shpallën Dëshmor i kombit.

Në shtator të vitit 1998, një grup aktivistësh të subjekteve të ndryshme, përfshi edhe tri gra (Nekibe Kelmendi, Edita Tahiri dhe Sanije Hyseni) kishin shkuar në Drenicën e përfshirë në flakët e luftës për të parë gjendjen në terren dhe sidomos pozitën e rëndë të popullsisë së zhvendosur.

Në shkollën e Qirezit ata arrestohen nga Hashim Thaçi e Sabit Geci dhe trajtohen mizorisht prej tyre. Në tortura, madje edhe në shuplakimin e grave ka marrë pjesë aktivisht Hashim Thaçi. Për këtë sjellje çnjerëzore ka dëshmi të detajuara me shkrim dhe me gojë (incizime), të viktimave, të cilat ato-ata ua kanë dorëzuar me dorën e tyre edhe institucioneve ndërkombëtare. Në mes tjerash aty përshkruhet se si ndonjërin prej këtyre aktivistëve Hashim Thaçi dhe Geci i kishin detyruar ta gëlltisin edhe jashtëqitjen e vet.

Në orën më të ligë të Kosovës, Hashim Thaçi, në njërën anë, dhe karaxhozët institucionalë, në anën tjetër, më të cilët më vonë ky do të bëhet mik për kokë, u përpoqën të nxisin luftë vëllavrasëse në Kosovë dhe në Shqipëri.

Për këtë qëllim, më 21 shtator 1998, u vra në Tiranë, Ahmet Krasniqi, Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës. Ai është vrarë me urdhër të të ashtuquajturës Drejtori Politike e UçK-së. Thaçi e C° e vranë Ahmet Krasniqin pasi ai ua kishte dhënë me zemërgjerësi rreth dhjetë miliona marka; e vranë vetëm pse ishte ushtarak i njohur, atdhetar i flaktë dhe burrë i ndershëm. Ai nuk kishte asnjë ambicje politike pos vullnetit dhe dëshirës së madhe që shqiptarët të bëheshin bashkë dhe ta çlironin Kosovën.

Sipas disa të dhënave zyrtare, në periudhën e pasluftës, 1999 – 2002, janë vrarë mbi 1500 qytetarë të Kosovës, shumica prej tyre shqiptarë. Disa burime serioze (të KFOR-it sidomos) shumicën e këtyre vrasjeve ua atribuojnë njerëzve të Hashim Thaçit, të organizuar në eskadronet e G2-shit dhe Shik-ut.

Më 24 gusht 1999, natën vonë, duke u kthyer nga Zvicra në Kosovë, në fshatin Shmri, rrethi i Kukësit, derisa ishin në kolonë me qindra vetura të tjera, u ekzekutuan vëllezërit Ibrahim e Rexhep Nikçi; djemt e Sylë Mehmet Nikçit, një burrë i njohur gjithandej në Kosovë, njeri që kishte luftuar me armë në dorë për çlirimin e Kosovës dhe kishte vuajtur 12 vjet nëpër burgjet e Jugosllavisë, kryesisht në Goli Otok, njërën prej ndëshkimoreve më famëkqia të globit.

Ibrahim Nikçi ka qenë i burgosur politik dhe aktivist i paepur i Lëvizjes për pavarësi. Ai është vrarë për shkak të mospajtimeve që ka pasur me ndonjë anëtar të të ashtuquajturës Drejtori politike, që kanë jetuar në regjionin e Cyrihit.

Më 8 maj 2000, e vranë para shtëpisë së tij në Prizren, njërin prej ushtarakëve të njohur të UCK-së, Ekrem Rexhën, i njohur si komandant Drini.

Ai u vra, pasi që paraprakisht mori një kërcënim publik, nga faqet e Kosovapresit, që udhëhiqej nga një pjesëtar-vrasës i Shik-ut.

Ekrem Rexha u vra sepse bashkë me disa ushtarakë të tjerë ishte në përfundim të themelimit të një partie politike, Qendra liberale e Kosovës. Sipas disa burimeve të besueshme, vrasja u bë në shenjë hakmarrjeje dhe me qëllim që ‘krahu i luftës’ të mos copëtohej në subjekte të ndryshme…, por që PDK të mbetet subjekti në mos i vetëm, të paktën kryesori…

Më 23 korrik 2000 u kidnapua tradhtisht në shtëpinë e tij, në Istog, avokati e veprimtari Shaban Manaj, personalitet i njohur i njërit prej bastioneve kryesore të LDK-së. Pas dy javësh trupi i tij u gjet i karbonizuar…

Burime të besueshme konfirmojnë se në vrasjen mizore të tij ka dorë një familjar i drejtpërdrejtë i Hashim Thaçit.

Më 23 nëntor 2000, te banesa e tij bë Prishtinë, u ekzekutua Xhemajl Mustafa, personalitet i shquar i LDK-së, gazetar e poet i njohur. Ai vra pasi kishte publikuar një analizë për zgjedhjet e posambajtura, të cilat i kishte humbur PDK-ja.

Më 17 janar 2002, rreth orës 20, në korridorin e ndërtesës ku banonte, në një pusi, në terr, u vra Smajl Hajdaraj, deputet i LDK-së, në Kuvendin e Kosovës, inxhinier me profesion, personalitet i njohur dhe gjatë luftës komandant i UÇK-së për Malësinë e Rugovës…

Lista është e gjatë, tepër e gjatë, por këtu përmenda vetëm rastet më tipike e më përfaqësuese, kur viktimat ishin fajtorë vetëm pse e donin me shpirt Kosovën dhe mendonin ndryshe nga Hashimi e C°.

II

Menjëherë pas çlirimit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe shokët e tij, duke shfrytëzuar anarkinë e pasluftës dhe mungesën e institucioneve i ka marrë nën kontroll të gjitha komunat, doganat dhe ndërmarrjet publike. E kanë trajtuar pasurinë e Kosovës serbisht e kusarisht. Ani se disa vite formalisht në opozitë, megjithatë as një ndërmarrje dhe asnjë objekt publik apo shtetëror, nuk është menagjuar apo privatizuar pa lejën e njerëzve të Thaçit.

Prandaj Kosova vazhdon të jetë në gjendje katastrofike ekonomike. As në vitet 90-të, të aparth’heidit nuk ka mbretëruar një pashpresë siç mbretëron aktualisht në Kosovë.

A ju kujtohet dialogu i famshëm ‘Pronto’, kur shefi i shefave e pyeste shefin e tij si je dhe ai ia kthente plot hare: SUPER?!

Pikërisht ato ditë nga stacionet e autobusve gjithandej Kosovës niseshin për çdo mbrëmje me dhjetëra autobusë përplot me burra, gra e fëmijë të Kosovës, që ua mësyenin kufijve duke ikur si prej pushtetit serb…

Në anën tjetër klani i Thaçit dhe aleatët e tij qarkullonin e qarkullojnë me miliarda euro që u janë plaçkitur barbarisht qytetarëve të Kosovës.

17 vjet pas Luftës, mërgimtarët e Kosovës dhe jo vetëm ata, ani se me vetura me regjistrime perëndimore paguajnë si në shtrungë taksa të majme agjencive kosovare të sigurimit me të hyrë në Kosovë.

Me kupolën e agjencive të sigurimeve menagjon vëllai i Hashim Thaçit.

III

Pas çlirimit, Hashim Thaçi ishte figura kryesore në shahun politik të Kosovës. Ai kishte të gjitha mundësitë për të krijuar një konsenzus për çështjet themelore të vendit; pavarësimin, qëndrimin ndaj ndërkombëtarëve dhe negociatat me Serbinë. Ai e bëri të kundërtën. Me sjelljet banditeske ndaj rivalëve, sidomos ndaj Ibrahim Rugovës, krijoi kushtet që, së pari, Veriu i Kosovës të ndahej fare lehtë. Sa herë që Ibrahim Rugova ka shkuar me Thaçin në takime me ndërkombëtarët, ky i fundit nuk ka lënë rast pa u ulur pranë tij, jo për të këmbyer apo korodinuar ndonjë veprim por për t’ia shkelur shtazarakisht këmbën nën tavolinë deri në përgjakje… Kjo nuk është propagandë por një e vërtetë e padiskutueshme, që dëshmon për karakterin primitiv të pretendentit për president të Kosovës.

Hashim Thaçi për shkak të veprimeve që u përmendën i humbi radhazi disa palë zgjedhje, dhe mu për këtë e sabotoi në vazhdimësi shpalljen e pavarësisë, sepse donte me çdo kusht që ai dhe vetëm ai të jetë lexuesi i Deklaratës historike.

Ndërkohë, në skënën ndërkombëtare pozicionet e Serbisë u forcuan ndërkaq ato të Kosovës u dobësuan, sidomos pas ngjarjeve të marsit 2004, kur shqiptarët vetëm brenda një jave nga viktima çfarë i njihte krejt bota u kthyen në vrasës e dhunues…

Ka argumente të pakundërshtueshme se këto ngjarje shtetrrënuese u organizuan nga shërbimet serbe, por në të cilat morën pjesë aktivisht njerëzit e Hashim Thaçit, sepse ishin ata që udhëhqinin turmat e patru, të cilat vrisnin njerëz e i digjnin kultet.

Kjo u bë që Thaçi të vinte në pushtet, duke u imponuar te ndërkombëtarët si e vetmja forcë që mund ta ruajë por edhe ta prishë sigurinë në vend…

Teoricienët marrokë të Thaçit për të maskuar këtë akt shtetrrënues, shpikën tezën se këto ngjarje u organizuan për të dëshmuar pamundësinë e bashkëjetesës mes Serbisë dhe shqiptarëve, thuase nuk kishte mjaftuar lufta dhe zbrazja e Kosovës, por duheshin dhe ngjarje si këto…

Kjo lëvizje shtetrrënuese e solli PDK-në pushtet por edhe planin e Ahtisarit, i cili ravijëzonte territorin e komunave serbe në Kosovë…, e më vonë solli dhe krijimin e etnitetit serb në Kosovë, përmes « dialogut » në Bruksel.

Ne këtë mënyrë Serbia arrijti atë që nuk do ta arrinte kurrë, federalizimin e Kosovës dhe krijimin e kushteve për ndarjen e saj në rastin e parë posa të krijohen rrethana të favorshme ndërkombëtare…

IV

Rezultatet e dominimit të Thaçit në skenën politike dhe të praktikave të qeverisjes së tij janë katastrofike. Ai, si askush tjetër, e ka kriminalizuar klasën politike, administratën, policinë, arsimin dhe shëndetësinë…

Askush si Hashim Thaçi, nuk ka pështyer mbi idealizmin enciklopedik të Kosovës; në pikëpamjen e tij atdhetari duhet të jetë kusar, liridashësi tuxhar, idealisti zuzar, politikani vrasës, deputeti spurdhjak, ministri bandit ose torollak.., feja murtajë, idealet pazar, i talentuari tutkun, intektuali skrrajë dhe i burgosuri politikë lyftyrë…

Në asnjë vend të botës si në Kosovë nuk janë rrënuar institucionet vitale si shëndetësia, arsimi dhe administrata. Larg çdo përgjithësimi, në sytë e opinionit dominues në Kosovës Hashim Thaçi, i ka kthyer mediet në prostituta, mjekët në kasapë, profesorët në matrapaz, ndërsa nëpunësit, prokurorët, gjyqtarët dhe policët në shkelës të ligjit.

Për këtë arsye prandaj, ai nuk mund të zgjidhet kurrë president nga deputetët të cilësdo parti që ndiejn detyrim ndaj sakrificës së Adem Jasharit, vendosmërisë e vizionit të Sali Çekut dhe Agim Ramadanit me shokë…

Neni 84 i Kushtetutës thotë : Presidenti është kreu i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit të Republikë së Kosovës.

Hashim Thaçi kurrë dhe me asgjë nuk e ka përfaqësuar unitetin e popullit të Kosovës.

Përfundimisht, Thaçi edhe mund te zgjidhet kryetar i Kosovës, dhe kjo vetëm për një shkak; sepse Kosova është shkërmoqë nga e keqja dhe nga njerëzit e ligj të saj. Dhe fundja u zgjodh apo s’u zgjodh, një gjë është krejt e sigurt : Hashim Thaçi s’ka qenë asnjëherë dhe sdo të jetë kurrë burrështeti. Për arsyen e thjeshtë se në vazhdimësi është sjellur, ka vepruar dhe ka sunduar si cub. I tillë ka hyrë në politikë dhe i tillë do të dalë prej saj./VOAL

SHPËRNDAJE