Ëndrra shumëvjeçare për krijimin e një lige të përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë më në fund është afër të realizohet.
Federata e Basketbollit e Kosovës dhe Federata Shqiptare e Basketbollit janë në përpilimin e një plani për t’i bashkuar dy kampionatet rrespektive, derisa kësaj i shtohen takimet e shumta që kanë patur gjatë muajve të fundit, raporton Gazetasheshi.com.
Këtë e ka konfirmuar edhe Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, e cila teksa ishte e ftuar në “Klan Kosova” konfirmoi marrëveshjen e arritur ndërmjet dy presidentëve për t’i hequr kufinjtë dhe për të themeluar një ligë të përbashkët.
Projekti do të duhej të kishte nisur në muajin Prill duke e organizuar Kupën e përbashkët, por shpërthimi i pandemisë së ‘koronavirusit’ ka ndërprerë gjithë planet.
Marrëveshjen ndërmjet dy federatave e ka konfirmuar edhe Avni Ponari, i pari i Federatës Shqiptare të Basketbollit, teksa ka marrë edhe disa shembuj nga vendet e Evropës se si funksionin një ligë e formuar nga dy federata.
”Kemi shkëmbyer edhe korrospodencën me FIBA-në. Janë disa modele, Lituani, Letoni, disa vende që e kanë krijuar këtë llojë kampionati. Ideja jonë është që me Kosovën të kemi një kampionat të përbashkët, një kampionat i madh me vajtje-ardhje. Janë miratuar në parim gjërat”, deklaroi Ponari ditë më parë.
Megjithëse pandemia ka pezulluar përkohësisht planet për bashkimin e ligave, mësohet se pas përfundimit të pandemisë do të krijohet Kupa e përbashkët, e cila do të ishte një hap i parë drejt bashkimit.
Kupa e cila është përshëndetur edhe nga klubet e dy vendeve pritet që të zhvillohet në muajin shtator ose tetor.