PRISHTINË, 18 Shtator/ATSH/By – Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, gjatë një takimi me zëvendëskryetarin e Fondit Humanitar për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, Skënder Memishi, biseduan për mbështetjen e projekteve që janë në interes të një jete më të mirë për shqiptarët e Luginës së Preshevës.

“Gjendja në të cilën janë shqiptarët e Kosovës Lindore është mjaftë e rëndë dhe në kuadër të angazhimeve do të bashkëpunojmë me këtë fondacion humanitar, në shërbim të një jete më të mirë për shqiptarët atje”, tha Haziri.

Ai vlerësoi punën e fondacionit humanitar dhe gjithë mërgatës shqiptare, të cilët gjithnjë ishin të vendosur në mbështetjen e bashkvendësve të tyre. Kryetari Haziri kërkoi që bashkëpunimi të jetë edhe më i madh.

“Mbështetja e institucioneve lokale nga këto tri komuna duhet të jetë edhe më intensive dhe njëkohësisht edhe mbështetja e Gjilanit do të jetë më e madhe përmes formave të ndryshme, qoftë nga bizneset apo donatorët e tjerë”, tha Haziri.

Zëvendëskryetar i fondit humanitar, Skënder Memishi, tha se ky fond deri tani ka ndërtuar 57 shtëpi të reja, për familjet me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.
“Synimet e fondit humanitar, përmes nismës “Ndërto, Shpëto, Parandalo”, janë të ndërtojnë edhe 100 shtëpi të reja në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Nëse nuk veprohet shpejtë, atëherë do të kemi braktisje të shtëpive për shkak të gjendjes së rëndë dhe mungesës së perspektivës”, theksoi ai.
Sipas një komunikate të Komunës së Gjilanit, ai gjithashtu e ka informuar kryetarin Haziri për burimet financiare, për mbështetjen që ka ardhur në vazhdimësi nga mërgata shqiptare, etj./KosovaPress/k.s/

SHPËRNDAJE