Dokumentet që posedon Insajderi tregojnë se si miliona marka të përfituara në emër të luftës së UÇK-së dhe Fondit “Vendlindja Thërret”,u shpërndanë në krijimin e bizneseve private, financimin e partive politike, blerjen e banesave, lokaleve dhe trojeve.
Katër burra vendosën të nënshkruanin një marrëveshje biznesore më 25 korrik të vitit 1999, vetëm një muaj e gjysmë pas përfundimit të luftës në Kosovë. Prijësi i tyre ishte Ibrahim Kelmendi që kishte menaxhuar Fondin “Vendlindja Thërret” në Gjermani.
Aksionarë tjerë në firmën e emërtuar “Eko Holding” ishin: Fadil Demiri, Ton Marku dhe Dukagjin Kelmendi, kushëri i Ibrahim Kelmendit. Secili prej të treve kishte nga 10 për qind. Ibrahim Kelmendi posedonte 60 për qind. Dhjetë për qind të mbetura ruheshin për ndonjë aksionarë të ri.
Insajderi ka siguruar marrëveshjen për themelimin e kësaj kompanie. Ibrahim Kelmendi kishte vendosur të mos shfaqej publikisht.
“…Unë nuk duhet të shfaqem hë për hë, deri në momentin e përshtatshëm, që jam posedues i përqindjeve kryesore të kësaj firme“, thuhet në këtë marrëveshje.
Kelmendi thotë se kishte një arsye se pse kishte vendosur të mbetej anonim.
“Unë vendosa që të mos figuroj me emër, sepse nuk doja të isha barrë e firmës me spekulimet se si menaxher i Fondit “Vendlindja Thërret”, kam vjedh mjete andej dhe i kam investuar këndej”, deklaroi Kelmendi për Insajderin.
Por gjetjet e Insajderit tregojnë se në arkat e kësaj kompanie u derdhën rreth 2 milionë marka të përfituara emër të UÇK-së dhe Fondit “Vendlindja Thërret”. Dokumentet që posedon Insajderi flasin për shpërndarjen e këtyre miliona markave në krijimin e disa kompanive tjera, për financimin e partive politike, blerjen e banesave, lokaleve dhe trojeve.
Misteri i telefonave satelitorë të UÇK-së
Në marrëveshjen e nënshkruar në korrikun e vitit 1999 shënohet se kompania “Eko Holding” po krijohet me fitimet e telefonisë satelitore të quajtur “Tele Point”.
Historia e krijimit dhe operimit të “Tele Point” është e lidhur ngushtë me Fondin “Vendlindja Thërret” dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Ibrahim Kelmendi kishte përfituar miliona marka nga ky biznes që përfshinte UÇK-në. Ai tregon se kishte marrë 120 telefona satelitorë nga telekomi gjerman dhe 30 tjerë nga firma gjemane CPN.
“Këta telefona i kishte në përdorim UÇK-ja në Kosovë”, thotë Kelmendi duke shtuar se telefonat satelitor ishin të regjistruar në emër të Fondit “Vendlindja Thërret”.
Lidhur me telefonat satelitorë, Kelmendi thotë se kishte probleme me autoritetet gjermane. “Telekomit gjerman i kishim ngel borxh rreth 1.2 milion DM borxh për telefonat satelitor që kishte UÇK-ja në Kosovë. Për atë borxh Prokuroria federale e Gjermanisë me pat lëshuar urdhër arresti, sepse ishin në emër të Fondit, ku unë isha menaxher”, ka thënë ai. Nuk ka sqaruar më shumë lidhur me këtë problem me autoritetet gjermane.
Por fitimin nga thirrjet nëpërmjet telefonave satelitor e kishte marrë Kelmendi me ortakët e tij, ndonëse këto pajisje ishin në emër të Fondit Vendlindja Thërret. Kjo kompani, sipas tij, e ka shitur 4 marka minutën në Evropën Qendrore, 5 marka në vendet Skandindave dhe 6 marka për thirrjet jashtë Evropës. Thotë se nuk i kujtohet kënd e kishte ortak atëkohë, përkundër që konfirmon se fitimet nga ky biznes ishin shumë të mëdha.
“Meqë fitimi ishte kryesisht meritë e rrethanave që krijoj lufta dhe çlirimi i Kosovës, vendosa që një pjesë të fitimit ta investoj në firmë tjetër, duke angazhuar bashkëveprimtarë që kishin merita të gjatë lufte dhe ndaj të cilëve kisha besim të madh”, ka deklaruar Kelmendi.
Ai shton se mjetet që i kishte dhënë për hapjen e firmës “Eko Holding”, kapnin shifrën e miliona eurove.
“EKO-Holding startoi me të hollat që ia dhashë unë nga fitimi që kisha nga telefonia satelitore, por nuk mbaj mend se sa mjete financiare ua kam dhënë, meqë dhëniet i bënin vëllezërit e mi që e menaxhonin telefoninë satelitore. Gjithsesi duhet të kenë qenë rreth dy milionë DM”, thotë Kelmendi.
Marrëveshja për themelimin e “Eko Holding”.
Dyshimet për fajde, blerjet e patundshmërive dhe shpërndarja e parave të “Eko Holding”
Insajderi ka siguruar edhe raportin financiar të kompanisë “Eko Holding”. Mban datën 3 maj 2003. Të gjitha vlerat janë shënuar në marka dhe aty tregohet për shpenzimet që ka bërë kompania nga viti 1999 deri më 2003. Shënimet tregojnë se miliona marka të kësaj firme janë ri-destinuar për krijimin e kompanive të reja, blerje të tokave e banesave.
70 mijë marka janë investuar në hapjen e restorant “Arbi”, 197 mijë marka janë investuar në sektorin e mobiljeve, 50 mijë marka në hapjen e një salloni frizerie, 150 mijë marka në sektorin e energjetikës, 183 mijë marka janë shpenzuar për investime në Kroaci, 550 mijë euro për sektorin e birrës, 50 mijë marka për hapjen e dy lokaleve në Prishtinë, 500 mijë marka janë investuar në “Llapi Comerce”, 161 mijë marka për kampin në Kargac, 70 mijë marka për për ngritjen e një shatori në Gërmi, 19 mijë marka për “diskoteka në Prizren” si dhe 151 mijë marka janë investuar për hapjen e bankës “Eko Banka”.
Një shumë e madhe në vlerë prej 1 milionë e 110 mijë markave, bazuar në këtë dokument, është investuar në firmën “Genci”. Nuk sqarohet më shumë se me çfarë aktivitetesh është marrë kjo firmë ku janë ri-destinuar mbi 1 milionë marka.
Përveç krijimit të kompanive tjera, shuma të mëdha parash janë shpenzuar edhe në blerjen e patundshmërive. 180 mijë marka janë shpenzuar për të blerë tokë në Veterrnik dhe 400 mijë marka për të blerë tokë në Fushë Kosovë. Po ashtu në raport, tek “gjendja e kapitalit të kompanisë”, tregohet se “80 mijë euro janë shpenzuar për banesën e Dugit ndërsa 70 mijë euro për banesën e Fadilit”.
Kompania “Eko Holding”, bazuar në dokumentet e siguruara nga Insajderi, del se ka pasur edhe borxhe në vlerë prej dhjetëra mijëra markash. Në raport shënohet se borxhi i kompanisë ndaj Currit e Sylës është në vlerë prej 50 mijë markash. Po ashtu në kllapa tregohet se kamata mujore e këtij borxhi është pesë për qind.
Një borxh tjetër është në vlerë prej 10 mijë markash. Kompania i obligohet Gjonit nga Tuzi dhe kamata mujore e këtij borxhi është dhjetë për qind. Në dokument nuk jepen sqarime se kush janë Curri, Syla dhe Gjoni dhe se pse kompania paguante kamatë ndaj këtyre individëve.
Kelmendi, i kontaktuar nga Insajderi, ka thënë se nuk beson që kompania kishte marrë para me fajde pasi “Eko Holding”, kishte shumë para dhe nuk kishte nevojë për një gjë të tillë.