Agjencia e Pavarur e Lajmeve KosovaPress ka shënuar 12 vjetorin e themelimit, me këtë rast janë shpallur edhe punëtorët më të dalluar të vitit. Gazetari më i mirë për vitin 2010 është shpallur Bajram Lani, redaktori më i mirë Ruhan Fetahu, korrespodenti më i mirë Alidin Damati dhe kameramani më i mirë i vitit Bujar Ferizi.

Më 4 janar të vitit 1999, si një nevojë e kohës së atëhershme për të informuar qytetarët rreth zhvillimeve në Kosovë, filloi punën Agjencia e Lajmeve KosovaPress. Gjatë luftës për çlirimin e atdheut, KosovaPress ka dhënë kontribut të madh për informimin e opinionit vendor dhe ndërkombëtar për luftën tonë çlirimtare, duke u bërë shtyllë e fortë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) për çlirimin e vendit. Gjatë një ceremonie festimi, për shënimin e 12 vjetorit, drejtori i Agjencisë së Pavarur e Lajmeve KosovaPress, Skënder Krasniqi ka folur për të arriturat dhe zhvillimin e KosovaPress-it gjatë 12 viteve të funksionimit. “Gjatë 2010-tës KosovaPress-i ka vazhduar traditën e zhvillimit dhe të ngritjes së kapaciteteve të saja, sigurisht një sukses i madh është hapja e një ueb-faqes së re, e cila ka mundësuar trefishimin e shikueshmërisë së KosovaPress-it. Ju e dini se gjatë ditës së zgjedhjeve, serveri ynë është bllokuar komplet, pasi vetëm gjatë asaj dite kemi pasur 4.5 milionë klikime”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa kryeredaktori Fadil Bajraktari, duke falënderuar ekipin punues së redaksisë së KosovaPress-it, ka thënë se kjo agjenci ka dëshmuar mese miri se në Kosovë mund të bëhet gazetari e mirë, profesionale dhe e paanshme. “Puna 12 vjeçare e KosovaPress-it është një sukses i të gjithë neve, është edhe një sukses i gazetarisë në Kosovë, për shkak se KosovaPress-i ka dëshmuar se gazetari mundet mund bëhet edhe në mënyrë të pavarur dhe në mënyrë profesionale”, ka thënë ai dhe ka rikujtuar se suksesi i KosovaPress-it ka filluar që në ditën e parë të punës, kurse reagimi i Serbisë po ashtu ka qenë i madh dhe i vazhdueshëm që nga dita e parë për ta penguar punën e KosovaPress-in, pasi ishte i vetmi burim i informacionit për botën nga Kosova.  Bajraktari falënderoi mediat, institucionet dhe ambasadat, të gjithë bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që kanë punuar dhe e kamë mbështetur KosovaPress-in gjatë 12 viteve. Ndersa z. Krasniqi ka premtuar se KosovaPress do të vazhdojë të sjell risi në tregun medial të Kosovës, duke ec në hap me agjencitë më të zhvilluara të Evropës dhe botës.

SHPËRNDAJE