Filmi pati dje premierën për median, ndërkohë që prej datës 17 shtator do të shfaqet në të gjitha kinematë e vendit. Ajo që e dallon “Faljen e gjakut” është se tingëllon i vërtetë.

Ende pa u shfaqur për publikun shqiptar, nga ky film erdhi jehona e “Ariut të Argjendtë” në festivalin e Berlinit për skenarin më të mirë dhe vlerësime nga kritikët e huaj. Dje filmi pati premierën për medien në kinema “Millenium”, në Tiranë, ndërkohë që prej datës 17 shtator do të shfaqet në të gjitha kinematë e vendit. Ngjarjet zënë vend në një fshat verior(xhirimet janë bërë kryesisht në Gurin e Zi) ku Marku(Refet Abazi) me një karrocë të vogël me kalë shpërndan bukë për mbijetesën e familjes. Një mëngjes, rruga që kalonte në një rrip toke ishte zënë nga fqinji i tij, Sokoli. Teksa me Nikun(Tristan Halilaj) lëvizte gurët, jeta e familjes po trazohej. E nesërmja do ta shtynte më tej konfliktin. Marku debaton me Sokolin në prani edhe të vajzës, Rudinës(në rol Sindi Laçej) dhe gjithçka kthehet në një çështje nderi. Bashkë me të vëllain, Marku vret Zenelin dhe familja shkon pa rrugëzgjidhje drejt ngujimit. Këtu filmi bën kthesën. Në ekran nuk shfaqet krimi dhe ngjarjet në vazhdim nuk do të fokusohen në fenomenin gjakmarrje dhe trajtimin sipas Kanunit apo të drejtën që i takon secilit. Mësojmë shumë pak edhe për familjen e të vrarit. Ata ekzistojnë në film si shkaku që sjell pasojat në familjen e Markut. Gjithçka përqendrohet në shtëpinë e tij. Që pas ditëve të para, ngujimi vë në rrezik marrëdhëniet familjare dhe e gjitha kthehet në një perceptim personal të lirisë. Marku arratiset, Niku nuk mund të dalë nga porta e shtëpisë e as të takojë vajzën që pëlqen, ndërsa e ëma Drita është drama e të gjithë familjes, por pa zë. Për mbijetesë të familjes Rudinës i duhet të lërë shkollën e të dalë rrugëve që herët të shpërndajë bukët. Gjendet e vetme para konkurrencës dhe kërcënimeve të familjes tjetër. Motiv i njohur edhe më parë në trajtimet kinematografike të kësaj teme, i tillë si filmi “Busulla” i regjisorit Bujar Alimani. Regjisori dhe bashkëpunëtorët e tij shqiptarë kanë synuar në një film realist dhe ajo që e dallon “Faljen e gjakut” është se tingëllon i vërtetë. Nuk ka sajesa letrare që kërcasin fort me realitetin shqiptar, as përpjekje për ta paraqitur këtë vend në një prapambetje të thellë duke i ikur synimit për ta bërë sa më ekzotik në sytë e një publiku të huaj. Skenaristi Andamion Murataj, i pranishëm në një konferencë për shtyp së bashku me dy aktorët e rinj, Tristan Halili dhe Sindi Laçej, e quan këtë një proces kërkimi paraprak. “Kur vendosëm me regjisorin Marston të realizonim këtë film, nuk kishim një ide apo skenar të gatshëm, por donim të bënim një film për jetën reale të të rinjve në Shqipëri. Unë isha më në kontakt me Shqipërinë përmes shtypit të përditshëm dhe ndonëse kisha disa vite që isha larguar nga Shqipëria, pretendoja se dija më shumë se regjisori për gjakmarrjen. Kur udhëtuam drejt Veriut të Shqipërisë gjetëm një realitet krejt tjetër. Nuk kishte qeleshe ashtu siç unë imagjinoja, por të rinj që kërkonin të ishin koherentë me teknologjinë, vajza që përdornin motor dhe e gjithë kjo për shkak të një lëvizjeje urbane që ka ndodhur gjatë këtyre 20 viteve. Sigurisht që një pjesë e popullsisë ka mbartur problemet e pronësisë, të gjakmarrjes, por edhe mënyrat se si ata i zgjidhin këto probleme. Më shumë se respektime të Kanunit, janë mekanizma brenda komunitetit që sigurojnë zgjidhjen e konflikteve. Sigurisht që ne kemi takuar shumë nga familjet e ngujuara, kemi folur me ta, jemi munduar të kuptojmë jetën e banorëve që jetojnë në këto zona dhe mentalitetin e tyre. Në këtë pikëpamje, skenari i këtij filmi nuk është nga ata klasikët. Janë histori të vogla të bëra së bashku. Edhe vetë filmi merr më shumë ngjyra dokumentareske të jetës së këtyre zonave”, ka theksuar Murataj. Dinamika e filmit ndryshon në këtë situatë të re. Niku, një djalë i ri e me ëndrra e ka të vështirë ta pranojë këtë realitet të ri. Ai kërkon me çdo kusht të bëhet pjesë e vendimmarrjes së familjes duke i dalë ndesh jo vetëm të atit, por edhe gjyshit Ded(Çun Lajçi). Ai kërkon të gjejë një rrugëzgjidhje duke përfshirë këtu edhe pajtuesit e gjaqeve, pa i zhveshur ata nga qëllimi për të bërë edhe biznes me këtë fenomen. Ndërsa më parë e mbronte, tashmë Niku e sheh të atin si një pengesë të lirisë së familjes së tij. Burgosja e tij pas arratisjes, ia përforcon këtë mendim, kur arrijnë të sigurojnë besën për dy javë nga gjakësi. Marrëveshja prishet sapo Marku del nga burgu. Karakteret e filmit janë të vërteta dhe krijojnë së bashku një ansambël që nuk cenohet nga niveli i njërit apo i tjetrit. Ndërsa gjuha dialektore e zgjedhur për filmin i qëndron natyrshëm vendit ku janë vendosur ngjarjet. Dy aktorët e rinj jo profesionistë, Tristian Halilaj dhe Sindi Laçej, të zgjedhur mes shumë të rinjve nga shkollat e Shkodrës dallojnë për origjinalitetin me të cilin sjellin karakteret. Të pa rrahur me konceptet e aktrimit, laboratori i tyre krijues kanë qenë dhjetëra bashkëmoshatarë të ngujuar me të cilët janë takuar.

SHPËRNDAJE