Historia nuk bën të ndryshohet për hatër të askujt dhe politika duhet t’i mbajë duart larg historisë sonë kombëtare, është thënë të mërkurën në Deçan gjatë një debati të organizuar nga Shoqata e Intelektualëve të Pavarur dhe lidhjes së Historianëve “Ali Hadri”.

Të pranishmit e këtij diskutimi, nga fusha shkencore, vlerësuan se historia është shkencë e një realiteti të kohës dhe interpretimi i saj duhet bërë vetëm nga profesionistët dhe jo politika.

Nikoqiri i këtij debati, kryetari i komunë së Deçanit, Rasim Selmanaj tha se situata nëpër të cilën është duke kaluar Kosova, nuk len vend për t’u hapur debate mbi tema tjera, si ajo për ndryshim të historisë, etj.

“Duket së kjo tryezë është e para e organizuar me këtë temë në hapësirat tona, prandaj e vlerësojmë në mënyrë të veçantë këtë iniciativë. Në këtë kohë kur Kosova po përballët me sfida shumë të mëdha si ajo e veriut, hapja e temave për ndërrimin e historisë dhe futjen e fesë në shkollat publike, mendoj që janë tema të cilat e rendojnë edhe me shumë situatën në shtetin e ri”, theksoi ai.

Por kryetari Selmanaj theksoi se është përgjegjësi e intelektualëve dhe institucioneve të Kosovës, që të japin mendimet e tyre dhe të marrin vendime meritore që janë në interes të vendit.

Në këtë debat, i cili për herë të parë mbahet në Deçan kumtesat e tyre shkencore i kanë lexuar edhe historianë dhe akademikë, si Muhamet Malaj, Selim Daci, Lulzim Lajçi, Nexhmdin Spahiu, Haki Hysenaj, etj.

Pjesëmarrësit tjerë në debat kanë parashtruar pyetjet tjera lidhur me ketë temë aktuale, ndërkohë që në pyetjet e tyre janë përgjigjur paneli që e ka kryesuar debatin.

SHPËRNDAJE