Vazhdim…
Insajderi.com filloi punën me (1) shkurt të vitit 2016. Punë që po startonte me investimin financiar të Florim Alajt. Siç edhe tregohet në pikën 12 të marrëveshjes trepalëshe mes Alajt, Parim Ollurit e Vehbi Kajtazit, Alaj do të tërhiqte mjetet e investuara “vetëm pas bilancit pozitiv”.

Kjo për të mos vënë presion mbi punën e mediumit dhe me qëllim të realizimit profesional të lajmeve pa barrën e financimit mbi krye.
Marrëveshja ishte trepalëshe, por sinqeriteti mes partnerëve jo. Insajderi.com filloi të rritet shpejtë si për nga ndikimi ne tregun medial ashtu edhe për nga numri i punëtorëve dhe fitimeve, por më vonë do të kuptohej se Olluri e Kajtazi, qysh nga themelimi kishin keqpërdorur pozitat e tyre duke tërhequr fitimet në të holla, jo siç ishte marrëveshja fillestare në tri pjesë të barabarta, por duke mashtruar dhe anashkaluar Alajn.

Tashmë ekziston dyshim i bazuar se vjedhjet e Ollurit e Kajtazit në raport me bashkëthemeluesin e kompanisë, janë qindra-mijëra euro.
Vetëm të hollat në emër të devidentës (shumë e parave që ndahet mes aksionarëve nga fitimet e kompanisë) për vitet 2016, 2017 dhe 2018 kapin shifrën prej 288 mijë eurosh. Para që do të duhej të ndaheshin në tri pjesë, por që fshehur dhe tinëzisht u ndanë vetëm në mes të Ollurit e Kajtazit, në dëm të Alajt.

Olluri e Kajtazi kishin ndarë për vete nga 96 mijë euro.

Alaj do të kuptonte mashtrimet e Ollurit e Kajtazit vetëm në vitin 2019, kur do kërkonte për të parë raportet financiare të kompanisë.
Sa më shumë që shtohej insistimi i Alajt për të parë raportet, aq më insistueshëm Olluri e Kajtazi refuzonin për t’i dorëzuar ato.

Refuzim që më vonë do kuptohej se vinte nga tendenca për të fshehur keqpërdorimet dhe mashtrimet që i ishin bërë ndër vite bashkë-themeluesit të Insajderit.
Ollurit e Kajtazit i ishin kërkuar në vazhdimësi takime për sqarime dhe shanse për t’u shpjeguar se çfarë ka ndodhur, por të dy vazhdimisht i kishin ikur ballafaqimit. Ata vazhdojnë edhe sot të mos i tregojnë në tërësi të hyrat e kompanisë.

Olluri e Kajtazi në vend se të tregoheshin kreativë në përmbajtjen e lajmeve, për çka edhe ishin angazhuar dhe paguheshin, ata kreativitetin e kishin derdhur në format e mashtrimit. Siç është rasti kur fshehtazi kishin hapur llogari bankare në një tjetër bankë nga ajo për të cilën ishte në dijeni Alaj dhe aty dyshohet se grumbullonin fitimet.

Se mashtrimi ka ndodhur dhe se janë fshehur para do ta pranonte në një moment edhe vet Olluri.

Përndryshe kishte pasur edhe pajtim që në afat prej tre këstesh të bëheshin pagesat e devidentëve dhe gjithashtu të rikthehej edhe shuma fillestare e Alajt që ishte investuar.
Përveç kësaj, ishte arritur edhe marrëveshje se do të kthehej investimi i tij, pas bilancit pozitiv të kompanisë.

Këto para nuk u kthyen asnjëherë.

Për më tepër, përveç fshehjes së parave të fitimeve dhe mos ndarjes së barabartë të devidentës, për Ollurin dhe Kajtazin ka dyshim të arsyeshëm se ata kanë përdorur edhe forma të tjera keqpërdorimi dhe përfitimi personal në dëm financiar të bashkëpronarit dhe në kurriz të dëmtimit të reputacionit të vet Insajderit.

Shkrimi radhës flet për vilat, shtëpitë, banesat dhe pronat që Olluri e Kajtazi dyshohet se përfituan nga kompani private të ndryshme e njerëz të politikës. /Insajderi.com

Vërejtje: Insajderi.com përkundër posedimit të të gjitha dokumenteve për të mbështetur aludimet e veta, për shkak të profesionalizmit dhe meqë ende askush zyrtarisht nuk është shpallur i dënuar, është kujdesur që të përdorë gjuhë të saktë juridike duke përdorur fjalët “dyshime” dhe “dyshim i bazuar”. Kjo për të mos paragjykuar vendimin final të Gjykatës, rrjedhimisht fajësinë e të akuzuarve.

SHPËRNDAJE