Ciro Immobile do të mungojë për Lazion sonte kundër Venecias, për shkak të kontaktit me Covid-19, por trajneri Maurizio Sarri nuk pritet ta zëvendësojë atë me Vedat Muriqin as këtë herë.

Sulmuesi italian kishte munguar në fitoren e Lazios 3:1 kundër Genoas në ndeshjen e kaluar pasi vuante nga dhimbje barku dhe do të mungojë edhe sonte në Venecia duke e parë që bashkëshortja e tij ka dalë pozitive në testin për Covid-19, raporton Gazeta Express.

Sarri duket ta ketë humbur plotësisht besimin në sulmuesin e Kosovës Muriqi, i cili është i vetmi që mund ta zëvendësojë Immobilen kokë për kokë dhe do të duhej të luante gjithmonë të paktën kur italiani mungon.

Por trajneri italian zgjodhi të luajë me një 9 fals javën e kaluar, Felipe Anderson, në vend se ta përdorte Muriqin.

Sarri pritet ta përsëritë taktiken e njëjtë edhe sonte në Venecia, duke e parë që ndaj Genoas formacioni i tij ishte frytdhënës.

Formacioni i mundshëm i Lazios: Strakosha; Marusic, Luiz Felipe, Acerbi, Radu; Milinkovic-Savic, Cataldi, Luis Alberto; Pedro, Felipe Anderson, Zaccagni.

Muriqi i ka luajtur vetëm 206 minuta futboll në Serie A në këtë pjesë të parë të sezonit 2021/22, duke e dhënë një asist por asnjë gol.

Sarri ia ka dhënë atij vetëm një mundësi të luajë si titullar në ligë deri tani, ndërsa e ka përdorur 10 herë si zëvendësues të vonshëm.

27-vjeçari i bëri edhe tri paraqitje si zëvendësues në Ligën e Evropës dhe është ende në kërkim të golit të parë sezonal.

Besohet se Muriqi do të largohet nga kryeqyteti italian në verën e ardhshme nëse jo në janar, me dy gjigantët turq Fenerbahce, nga ku iu bashkua Lazios, dhe Galatasaray që kanë shprehur interesim për të.

SHPËRNDAJE