Willian e ka pranuar se e kishte dashur të largohej nga Arsenali pas vetëm tre muajve, për shkak se, siç tha, nuk ishte i lumtur në Londrën veriore.

Arsenali afroi Willianin si lojtar të lirë, pas largimit të tij nga Chelsea në verën e vitit 2020, duke nënshkruar marrëveshje trivjeçare me të, raporton Gazeta Express.

Megjithatë, braziliani kërkoi shkëputjen e marrëveshjes në gusht dhe iu bashkua klubit të fëmijërisë, Corinthians, pasi kishte hasur në vështirësi për ta arritur nivelin e tij gjatë një sezoni të vetëm në Emirates Stadium.

Willian ka folur për largimin nga Arsenali duke thënë: “Nuk isha i lumtur, prandaj nuk luaja mirë. Nuk dua të futëm në hollësi, por nuk isha i lumtur”.

“Kur shkova në Arsenal isha i lumtur, isha i motivuar nga fillimi, doja të bëja mirë, klubi i ri, bashkëlojtarët e rinj, projekte të reja. Por pas tre muajve, i thashë menaxherit tim, ‘të lutëm, dua të iku’. Nuk dua të flas keq për klubin, sepse është një klub i madh me histori të madhe, por thjesht nuk funksionoi”, shtoi ai.

33-vjeçari hoqi dorë nga një marrëveshje e majme vetëm e vetëm për ta rigjetur pasionin për lojën e futbollit.

“Po, hoqa dorë nga shumë para, por paraja nuk është më e rëndësishmja në jetë, njeriu ka nevojë të jetë i kënaqur dhe të zgjohet në mëngjes me dëshirë për të shkuar në stërvitje”, nënvizoi ai.

SHPËRNDAJE