Transferimi i Flori Mumajesit nga Shqipëria në Kosovë ka bërë jo pak zhurmë në media, të cilat kanë aluduar edhe mbi motivet që e çuan kantautorin e famshëm drejt këtij vendimi.

 

Në fakt, artisti jo vetëm që u largua nga Shqipëria, por, edhe siç thuhet, ka blerë një shtëpi në Prishtinë. Natyrisht, kjo iniciativë e Florit i la të gjithë me gojëhapur, sepse arsyet që e lidhnin me Shqipërinë ishin të shumta, nisur që nga familja, për të vazhduar me studion e tij “Three Dots”, miqtë dhe bashkëpunëtorët. Por ku ka motiv më të madh se dashuria që të shtyn të bësh “çmenduri”?

 

Burime të “Bluetooth” tregojnë se pikërisht dashuria e ka çuar kantautorin drejt vendit fqinj. Kjo arsye është përfolur edhe më herët në media, megjithatë ne kemi zbuluar se gjërat mes Florit dhe vajzës në fjalë kanë kaluar tashmë në një nivel tjetër. Sipas burimeve, kantautori është duke bashkëjetuar me një prezantuese nga Kosova, në vilën e tij në një qendër rezidencash në periferi të Prishtinës.

 

Ai dhe bukuroshja në fjalë u bënë disa muaj që jetojnë bashkë dhe janë tejet të lumtur. Sipas fqinjëve të tyre, Flori dhe moderatorja e famshme shihen gjithmonë bashkë dhe janë thuajse të pandashëm nga njëri-tjetri. Por, ajo që e bën të pazakontë këtë lidhje është fakti se vajza që i ka fituar zemrën Flori Mumajesit është pikërisht Liberta Spahiu, moderatorja aq shumë e përfolur për një lidhje me Getoar Selimin, e, gjithashtu, edhe një nga mikeshat më të mira të Elvana Gjatës.

Këngëtarja dhe prezantuesja e “Prive” ka pasur një marrëdhënie të afërt me Elvanën, e cila deri pak kohë më parë thuhej se ka pasur një romancë me Flori Mumajesin, lidhje që, në fakt, nuk është konfirmuar kurrë nga protagonistët. Sidoqoftë, ajo që është e qartë tani është fakti se Elvana nuk ka më asnjë kontakt me ish-bashkëpunëtorin e saj të shumë viteve, e ndoshta edhe me mikeshën e saj.

 

Nga ana tjetër, Liberta dhe Flori po jetojnë dashurinë, e dëshmi për këtë është edhe festa e ditëlindjes së prezantueses. Vetëm në fillim të këtij viti, moderatorja festoi ditëlindjen e saj në një nga koncertet e Florit në Kosovë, i cili natyrisht e ka surprizuar duke kënduar për të. Asokohe, askush nuk kishte dijeni për këtë lidhje, e me gjasë nuk kanë kuptuar mes vargjeve dedikimet e Flori Mumajesit për të dashurën e tij.

 

SHPËRNDAJE