Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier ka folur për zhvillimet e fundit në pjesën veriore të Kosovës, pak para se të marrin zyrtarisht detyrën e tyre katër kryetarët e rinj të zgjedhur.

Diplomati amerikan ka folur për rëndësinë e zgjedhjeve në Mitrovicë të veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok, për pjesëmarrjen e ulët të qytetareve, por edhe për atë se çka presin Shtetet e Bashkuara në të ardhmen.

Ai ka thënë se “zgjedhjet e mbajtura më 23 prill ishin konform ligjeve të Kosovës të mandatuara me Kushtetutë”.

“Duke pasur parasysh pjesëmarrjen e ulët, ne do të prisnim që kryetarët e sapo zgjedhur të komunave dhe kuvendet komunale të merrnin një rol teknik dhe jo politik’, ka thënë ambasadori amerikan për Telegrafin.

Sipas tij, çdo aktivitet kriminal që synon të përmbysë këta zyrtarë në kryerjen e përgjegjësive të tyre ligjore do të përballet me dënim të ashpër nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët.

SHPËRNDAJE